Dy vjet pasi erdhi në pushtet, Kurti kërkon llogari për “arrestimin dhe mbytjen e Astrit Deharit”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas lirimit të të dyshuarve për sulmin ndaj Kuvendit në vitin 2016. Rast në të cilin ishte i përfshirë edhe Astrit Dehari.

Kurti në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se ky rast nuk është drejtësi e vonuar, por sipas tij edhe një jetë e humbur.

“Por, ky rast nuk është thjesht drejtësi e vonuar, por edhe një jetë e humbur. Astrit Dehari, aktivisti ynë është marrë në burg për këtë akuzë dhe kur sot kjo akuzë bjen tërësisht, ai më nuk gjendet në mesin tonë. Nëse deri tash kemi bërë thirrje ‘’Drejtësi për Astritin’’ për të zbuluar tërësisht rastin, tash kjo thirrje bëhet edhe më e prerë. Përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Në gusht të vitit 2016 u arrestuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës. Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final.

Por, ky rast nuk është thjesht drejtësi e vonuar, por edhe një jetë e humbur. Astrit Dehari, aktivisti ynë është marrë në burg për këtë akuzë dhe kur sot kjo akuzë bjen tërësisht, ai më nuk gjendet në mesin tonë. Nëse deri tash kemi bërë thirrje ‘’Drejtësi për Astritin’’ për të zbuluar tërësisht rastin, tash kjo thirrje bëhet edhe më e prerë. Përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik.