Rama me letër zyrtare u kërkon vendeve anëtare të KiE-së mbështetje për Rezolutën për Dick Martyn

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një letre u ka kërkuar të gjithë kryeministrave dhe presidentëve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës mbështetjen për nisjen e procedurës që do të çoj në një raport vijues në lidhje me raportin e Dick Martyt.

Rama u ka kërkuar vëmendjen të gjithë presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të KiE-së në lidhje me raportin e Dick Martyt, pasi sipas tij, kjo çështje ka të bëjë me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut.

Kryeministri shqiptar në letrën e tij thotë se në vitin 2008, ish-prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, botoi librin e saj me kujtime “Zonja Prokurore”, në të cilin pretendohej se pjesëtarët e UÇK-së kishin kryer krime të tmerrshme, përfshi, trafikim të shfrenuar të organeve njerëzore.

“Akuzat e saj u mohuan me forcë në Shqipëri, Kosovë dhe tjetërkund në rajon, për arsyen e thjeshtë se hetimet e kryera përgjatë disa viteve nga kryeprokurorja e GjNPIJ-së, përfshi Shqipërinë, kishin qenë tërësisht jobindëse. Kjo duhej të kishte mjaftuar që çështja të mbyllej aty ku kishte nisur: në faqet e një trillimi joletrar. Përkundrazi, ajo u çua më tej nga të tjerë, konkretisht nga anëtarët e partisë “Rusia e Bashkuar” e Putinit në Këshillin e Europës, të cilët e instrumentalizuan atë për të ushqyer më tej narrativën ruse mbi Kosovën”.

“ Më pas, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës iu paraqit një raport (sërish, në mungesë provash). Nisur nga raporti dhe serioziteti i akuzave, në janar 2011, Asambleja miratoi rezolutën 1782, titulluar “Hetimi i akuzave për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë””, shkroi Rama, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Rama tha se 11 vjet më vonë, të gjitha përpjekjet për hetime të bëra qysh atëherë, vërtetuan se nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri a gjetkë në rajon, për nxjerrje dhe trafikim organësh.

“Për më tepër, aktakuzat e paraqitura nga Dhomat e Specializuara në Hagë nuk përmbajnë as edhe një fjalë të vetme lidhur me nxjerrjen dhe trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore”.

“Sado e çuditshme të duket kjo, nuk ka fakte, nuk ka autorë, nuk ka viktima të trafikimit të organeve njerëzore. Raporti dhe rezoluta që pasoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte, në thashetheme që qarkullonin në vend të provave. Ato tanimë janë kthyer në një njollosje të pamerituar të atyre që janë akuzuar pa të drejtë dhe në një turp për politikën ndërkombëtare”, thuhet në letrën e Ramës.

Më tej, Rama tha se hartimi i një raporti vijues, ka një rëndësi sipërore, jo vetëm për të drejtat e individëve të akuzuar, por edhe me qytetarët e Shqipërisë, që sipas tij, vazhdojnë të jenë shënjestër e stereotipeve të rrezikshme.

“Ka të bëjë gjithashtu me të vërtetën dhe drejtësinë, pa të cilat minohet vetë integriteti e besueshmëria e politikës ndërkombëtare dhe e institucioneve të saj”.

“Për dijeninë tuaj, po ju bashkëlidh një kopje të fjalës sime të mbajtur përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe një kopje të rezolutës së miratuar për këtë çështje nga Kuvendi i Shqipërisë”, thuhet në letrën e Ramës.