Publikohet video gjatë shpërthimit në gazsjellësin Nord Stream

Kremlini njoftoi se nuk e përjashton mundësinë që dëmtimi i gazsjellësit Nord Stream në Detin Baltik të jetë shkaktuar nga sabotazhi, ndërsa Komisioni Evropian thotë se është e parakohshme të spekulohet për shkakun e rrjedhjes së gazit në dy tubacionet që synojnë të dërgojnë gaz nga Rusia në Evropë.

Nord Stream AG, operatori i tubacionit të gazit, njoftoi më herët të martën se tri linja detare Nord Stream kishin pësuar dëme “të paprecedenta” brenda një dite. “Asnjë opsion nuk mund të përjashtohet”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov kur u pyet për mundësinë e sabotazhit.

Autoriteti Danez i Energjisë (DEA) thotë se ka shumë gaz që rrjedh dhe se vrima në Nord Stream 2 është e madhe, përcjell Express.

Kreu i kësaj organizate daneze thotë se rrjedhja e gazit do të vazhdojë edhe për disa ditë, e ndoshta edhe një javë. Ai thotë se një sasi e madhe flluskash në sipërfaqe tregojnë se vrima në tub është shumë e madhe. Autoritetet detare daneze kanë lëshuar një paralajmërim lundrimi dhe po paralajmërojnë anijet që të mos lundrojnë brenda pesë miljeve detare nga rrjedhja.

Ushtria daneze publikoi pamje nga helikopterët që tregojnë flluska në sipërfaqen e detit të shkaktuara nga një rrjedhje gazi.