Rasti i të miturës në Prishtinë, Balje me porosi për prindërit: Prioritet t’i keni fëmijët!

Një 11 vjeçare po dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga 11 burra në Prishtinë. Të njëjtit, tanimë janë arrestuar. Rasti që tronditi Kosovën ngjalli reagime të shumta. U mbajtë edhe një protestë me mijëra qytetarë.

E pranishme në protestë ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje njëherit kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Balje për rastin foli në InDoks të Gazetës Insajderi, ajo apeloi së pari tek prindërit që të jenë më të kujdesshëm.

“Unë do e fillojë prej familjes, familja duhet me bisedu me fëmijët, duhet me punu me të, edhe me vajzën edhe djalin duhet me fol. Unë di që tani jeta është moderne nuk të jep shumë kohë por në fakt duhet me caktu prioritetet, dmth fëmijët janë prioritet në jetë për secilën familje”, theksoi ajo.

Ajo nuk hezitoi ta marrë shembull edhe vetën.

“Edhe unë punojë shumë, të gjithë por duhet jeta e një gruaje moderne me u koncentru tek kontakti me fëmijën bashkë me burrin, kjo është hallka e para”, tha Balje.

Ndërkohë deputetja lavdëroi Policinë e Kosovës për arrestimet që bëri për rastin e 11 vjeçares.

“… pastaj shumë jemi duke e përmend policinë kohëve të fundit, unë nuk kam parë defekt në polici, ata për 24 orë krejt dhunuesit kanë qenë në vendin ku duhet me qenë”.

Balje thotë se pret që institucionet e drejtësisë të marrin vendimin e duhur.

“…Tash jemi duke e shikuar procesin gjyqësor në ditët e fundit ne kemi parë edhe disa reagime prej anës së kryeministrit dhe ministres për drejtësi kush ka faj, tek ka faj, unë po du me besu në sistemin gjyqësor të Kosovës, po du me besu që ata do të marrin një vendim të duhur, një vendim i cili do të jetë si mesazh për dikë tjetër, që nesër pasnesër janë duke planifikuar këtë. A është çështje e pedofilisë, trafikimit tash ne çdo ditë po marrim informata për këtë vajzën 11 vjeçare, por në fund të fundit është një fëmijë 11 vjeçare dhe këto nuk lënë hapësira për me komuniku shumë”, tha deputetja për InDoks.