Hill flet prapë për Asociacionin: Ka gjithandej nëpër Evropë, ta bëjë edhe Kosova

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, mendon se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk është një model unik të cilën është i detyruar ta implementojë vetëm Kosova, pasi sipas tij shembull të një asociimi të tillë tashmë ekzistojnë në zonat multietnike në Evropë.

Sipas top-diplomatit amerikan, ideja e dialogut është përgatitja e Kosovës dhe Serbisë për një të ardhme evropiane.

“Ajo që mund të shohim në shoqëritë multietnike në mbarë Evropën është e ngjashme me atë që është paraparë në Kosovë, implementimi i Asociacionit. Pra nuk do të ishte një shembull unik sepse modele të ngjashme ekzistojnë në pjesën tjetër të Evropës”, ka thënë Hill kur është pyetur se pse SHBA-të nuk po shtynë përpara formimin e Asociacionit.