Dështon zgjedhja e një anëtari të KPM-së, do të përsëritet konkursi

Kuvendi i Kosovës, gjatë seancë së sotme, ka votuar për zgjedhjen e një kandidati për Komisionin e Pavarur për Media.

Kandidatët e propozuar për këtë pozitë ishin: Violeta Hyseni – Kelmendi dhe Teuta Hoxha – Morina, por asnjëra nga kandidatet nuk arriti të marrë mjaftueshëm vota.

Violeta Hyseni – Kelmendi mori 20 vota, ndërsa Teuta Hoxha- Morina 29.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, gjatë prezantimit të rezultateve tha se në votim kanë marr pjesë gjithsej 91 deputetë, prej të cilëve të pavlefshme janë 42 fletëvotime, dhe se kandidatja Violeta Hyseni-Kelmendi ka fituar 20 vota, ndërsa Teuta Hoxha-Morina 29 vota.

“Fatkeqësisht asnjëra prej kandidatëve nuk i ka marr votat për të fituar këtë pozitë, prandaj konkursi përsëritet dhe un e them këtë me keqardhje sepse të dy kandidatet e intervistuara kanë qenë të shkëlqyeshme dhe në këtë Kuvend gjithmonë po vije në shprehje të jetë dikush servil ose i dëgjueshëm”, tha Musliu.