Petkoviq e kundërshton Kurtin, thotë se serbët e veriut nuk kanë kurrfarë borxhi për rrymën

Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është shprehur i kënaqur me marrëveshjen e arritur me Kosovën për energjinë dhe vazhdimin e dialogut.

Ai i tha RTS-së se “pa dyshim që Elektrosever është serbe”, përcjell lajmi.net.

Petkoviq thotë se pas një takimi me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha hapur se Prishtina ishte e gatshme të fillonte diskutimin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe kur të binte dakord me Beogradin për energjinë.

“Ky udhërrëfyes përcakton saktësisht hapat dhe afatet e të dyja palëve dhe kjo është pika e parë – pritet që Prishtina t’i lëshojë një licencë Elektroseverit”, tha Petkoviç.

Ai ka mohuar ekzistimin e borxheve të banorëve të veriut të Kosovës për rrymë, pasi siç thotë ai nuk ka pasur obligim kontraktual më parë. Përkundër Petkoviqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se secili cent i dhënë për mbulimin e shpenzimit të rrymës në veri do të cilësohet si borxh.