Escobar kërkon të dyfishohen përpjekjet për marrëveshjen Kosovë-Serbi

I dërguari special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se situata në të cilën ndodhet Ukraina na mëson se duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ambasada e SHBA-së në Beograd ka publikuar një deklaratë të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në të cilën ai flet për agresionin rus në Ukrainë.

“Le të shërbejë kjo krizë për të siguruar që brezat e ardhshëm këtu në Ballkanin Perëndimor të jetojnë në vende që janë plotësisht të integruara në Bashkimin Evropian, në një Evropë të tërë, të lirë dhe paqësore. Shtetet e Bashkuara duan të jenë partneri juaj në këtë përpjekje. Situata në të cilën ndodhet Ukraina na mëson se duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalojmë aktivitetet që kërcënojnë stabilitetin dhe përparimin në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka thënë Escobar.