Latifi pas lehtësimit të masave për të hyrë në Kosovë: Kurrë s’kemi kërkuar tri vaksina

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka insistuar se për të hyrë Kosovë kurrë nuk janë kërkuar tri doza të vaksinës kundër Covid-19. Ai tha se për të qarkulluar brenda kufijve të Kosovës, shtetasit e vendeve të tjera kanë mundur që të hyjnë edhe me dy doza të vaksinës dhe me një vërtetim të testit PCR.

Latifi tha se kushti për të hyrë me tri doza në Kosovë ka pasur për qëllim lehtësimin e qarkullimit.

“Kurrë nuk kemi kërkuar tri vaksina. Me tri vaksina ti ke pasur lehtësi të madhe ke hy drejtpërdrejtë. As nuk është kërkuar testi as kurgjo tjetër. Nëse i ke pasur dy vaksina është dashur ta kesh edhe testin”, ka thënë ai para gazetarëve.

Kjo deklaratë e Latifit erdhi pas kundërshtimeve nga shtetet e rajonit që Kosova nuk po I lejon qytetarët e tyre që të hyjnë në Kosovë pa tri doza të vaksinës kundër Covid-19.

Pas këtyre kundërshtimeve, Kosova ka lehtësuar masat në këtë aspekt.

Kështu për të hyrë në Kosovë më nuk kërkohen tri doza të vaksinës.

Sipas masave që kanë hyrë në fuqi dje, çdo person që hyn në Kosovë duhet të posedojë: certifikatën e vaksinimit të plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen, që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit; certifikatën e vaksinimit me një dozë të shoqëruar me testin Rt-PCR negativ për Covid-19, jo më të vjetër se 48 orë; dëshmi se e ka kaluar Covid-19 në 90 ditët e fundit; dëshmi se personi ka marrë dozën e tretë/përforcuese dhe dëshmi të testit RT-PCR negative për Covid-19 jo më të vjetër se 48 orë