Profesori i diplomacisë Gashi: Ndikimi rus në Kosovë dhe rajon vjen nga spiunët rus në organizatat ndërkombëtare

Profesori universitar i diplomacisë Ibrahim Gashi ka deklaruar se ndikimi rus në Kosovë dhe rajon vjen përmes spiunëve rus të cilët veshen me petkun e organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe prandaj duhet pasur kujdes nga këta persona, të cilët në disa raste edhe janë dëbuar nga organizatat përkatëse, pasi është zbuluar qëllimi i tyre destabilizues për vendin ose rajonin.

Me 7 Janar 2022, media boshnjake “Istraga.ba” së bashku me “TheGeopost” kanë publikuan emrat e disa spiunëve rusë që kanë punuar në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, në misionin e Kombeve të Bashkuara.

Gashi ka deklaruar se historikisht qëllimi i vërtetë i pjesëmarrjes së rusëve në organizatat ndërkombëtare dhe misione paqeruajtëse, nuk ka qenë realizimi i qëllimeve të misionit të atyre organizatave ndërkombëtare, por realizimi i qëllimeve të Rusisë për destabilizimin e shteteve dhe rajoneve të ndryshme.

Sipas profesorit universitar Gashi “në këto organizata rajonale shumëpalëshe por edhe ndërkombëtare, rusët janë bërë pjesë e tyre jo për ta ndihmuar ruajtjen e funksionimit dhe stabilitetit të bashkëjetesës në vendet e ish-Jugosllavisë, por janë involvuar më shumë për të destabilizuar përpjekjet që bën bashkësia ndërkombëtare dhe kjo është provuar disa herë, që zyrtarë rusë, të veshur me petkun e misionit ndërkombëtar të OKB-së në Kosovë kanë bërë një punë të rrezikshme të spiunazhit për qarqet politike të Rusisë.”

Profesori universitar Gashi ka rikujtuar skandalin e fundit të spiunazhit rus të zbuluar nga NATO, gjë e cila sipas tij dëshmon se Rusia përdorë çdo metodë përfshirë edhe organizatat ndërkombëtare si strehë për përdorimin e imunitetit diplomatik që japin këto organizata, për të realizuar veprime spiunazhi, në dëm të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare të cilat Rusia i konsideron armike.

Sipas tij “kjo u vërtetua para disa muajve kur NATO u detyrua të dëbojë disa nga vëzhgues të Federatës Ruse në Bruksel pranë selisë së NATO-s, për shkak se u zbuluan që po bartnin informacione strategjike e sekrete të Aleancës. Madje edhe në Këshillin e Evropës zyrtarët rusë kanë qenë njerëzit që e kanë shtyrë maksimalisht projektin e Dik Martit të shkojë përpara që mos të them që edhe e kanë financuar duke u munduar ta baltosin Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që ndikoi edhe në krijimin e Dhomave të Specializuara, pavarësisht se raporti u demantua dhe nuk është pjesë e aktakuzave për krerët e UÇK-së atje, por u nis nga protagonistë dhe anëtarë të Këshillit të Evropës që e përfaqësonin Rusinë dhe shtetet që e përkrahin atë. Pra, kudo që i kemi parë nëpër forume ndërkombëtare shumëpalëshe , kemi parë përpjekje për destruktivitet dhe minim të proceseve të rëndësishme.”

Republika e Kosovës, kohët e fundit ka shpallur person non grata disa zyrtarë rus të UNMIK-ut dhe zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre kundër rendit kushtetetues së Kosovës. Së fundi më 31 dhjetor 2021, Ministrja e Punëve të Jashtme Donika

Gërvalla, kishte shpallur persona non grata zyrtarin rus të UNMIK-ut Andrey Antonov për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Me 22 tetor 2021, Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, kishte njoftuar për kërkesën dërguar MPJ-së për shpalljen person non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev , për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Më 31 maj 2019, Kryeministri i atëhershëm i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, kishte njoftuar për kërkesën drejtuar MPJ-së për shpalljen person non grata të zyrtarit rus të UNMIK-ut Mikhail Krasnoshchenkov, për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit.

Zyrtari rus i UNMIK-ut Krasnoshchenkov, kishte keqpërdorur mandatin duke penguar aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës, krimit të organizuar dhe korrupsionit në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugën me veturën e UNMIK-ut dhe duke prerë drunj për të bllokuar kalimin e automjeteve policore. Këto aktivitete ai i kishte kryer duke bashkëpunuar ngushtë me grupet kriminale serbe në veri të Kosovës. Madje mediat e huaja kishin shkruar se zyrtari rus i UNMIK-ut Mikhail Krasnoshchenkov, ishte spiun i shërbimit sekret ushtarak rus GRU.