S’gjendet më në Facebook grupi “Me Kryeministrin”

Grupi në Facebook, “Me Kryeministrin”, ku ishin mbledhur mbi 300 mijë mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, tani nuk gjendet më askund.

Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, që ishte njëri nga administratorët e këtij grupi, nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express rreth kësaj çështjeje.

Ai e mban ende në profilin e tij në Facebook linkun e grupit, i cili aktualisht nuk hapet.

Sipas Facebook-ut, ky grup nuk është i disponueshëm momentalisht pasi krijuesit mund ta kenë ndarë atë vetëm me një grup të vogël njerëzish ose është fshirë tërësisht.

Të hënën, një grup i ri, i quajtur po njësoj, “meKryeministrin”, u hap.

Grupin e ri e ka krijuar po Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së LVV-së dhe ka shtatë anëtarë.

Grupi i madh “Me Kryeministrin” u krijua si shenjë revolte pas rënies së Qeverisë Kurti 1.

Aty është bërë fushatë e veçantë kundër gazetarëve dhe kujtdo që e kundërshtonte kryeministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Kolegji i Komisionerëve evropianë e pati theksuar çështjen e linçimit të gazetarëve në Raportin e Progresit për këtë vit.

Në pjesën ku flitej për lirinë e mediave, në Raportin e Progresit, thuhej:

“Megjithatë mbetet shqetësim për fushata kërcënuese dhe sulme fizike ndaj gazetarëve.”