Rezultati i ngushtë në Junik, Kuçi sytë kah votat me kusht dhe ato me postë

Rezultati tepër i ngushtë i kandidatëve për kryetar të Junikut ka bërë që në këtë komunë fituesi të vendoset pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Junikut, Agron Kuçi ka thënë se është optimist se votat me postë dhe ato me kusht do ta nxjerrin atë fitues të garës për të parin e kësaj komune.

“Jam optimist të shohim. Kemi njoftime se i kanë dërguar votat me postë, zyrtare diçka nuk kam. Është vullnet i lirë i qytetarëve se si kanë dashur të votojnë. Po presim, besoj se shpejt do të dihet”, ka thënë Kuçi për Indeksonline.

Ky i fundit në zgjedhjet e zhvilluara një ditë më parë ka fituar 1.170 vota, ndërsa kundërkandidati i tij nga radhët e LDK-së, Ruzhdi Shehu ka fituar 1.199 të votave.

Në komunën e Dragashit pritet të numërohen edhe rreth 50 vota me kusht dhe 670 vota të ardhura me postë.