FDA-ja autorizon përdorimin e Pfizerit për fëmijët e moshave 5-11 vjeç

Administrata e Ushqimit dhe Barërave (FDA) i ka hapur rrugën të premten vaksinës Pfizer për përdorim edhe tek fëmijët e moshave 5-11 vjeç, kundër COVID-19.

FDA-ja megjithatë ka sqaruar se doza e vaksinës për këto mosha duhet të jetë vetëm sa një e treta e shumës së dhënë për adoleshentët dhe të rriturit, për përdorim urgjent.

Kësisoj, deri në 28 milionë fëmijë të tjerë amerikanë mund të vaksinohen që në fillim të javës së ardhshme.

Të martën e ardhshme, këshilltarët e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të bëjnë rekomandime më të detajuara se cilët të rinjtë duhet të vaksinohen, me një vendim përfundimtar nga drejtori i Agjencisë që pritet menjëherë më pas.

“Vaksinimi i fëmijëve më të vegjël kundër COVID-19 do të na sjellë më pranë rikthimit në një ndjenjë normaliteti”, ka thënë përmes një deklarate, doktoresha Janet Woodcock, ushtruesja e detyrës së komisionerit të FDA në një deklaratë.

“Vlerësimi ynë gjithëpërfshirës dhe rigoroz i të dhënave që kanë të bëjnë me sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës duhet të ndihmojë të sigurojmë prindërit dhe kujdestarët se kjo vaksinë përmbush standardet tona të larta”, ka shtuar ajo.

Një numër i vogël i shteteve kanë nisur përdorimin e vaksinave të tjera kundër COVID-19 për fëmijët nën moshën 12-vjeçare, përfshirë këtu Kinën, e cila sapo ka nisur edhe vaksinimin e fëmijëve nga mosha 3-vjeçare.