Avokati Samir Morina: Raporti i Progresit (KE-së), dhe përmbajtja e tij, të merren seriozisht nga insitucionet e Kosovës

Avokati Samir Morina, thotë se këto raporte të BE-së, duhet të merren seriozisht nga insitucionet e Kosovës, në mënyrë që procesi drejtë integrimit në BE, të mos dështoj.

“Shqetësimet që vijnë nga BE-ja, në këtë rast nga Komisioni Evropian duhet të merren shumë seriozisht nga ana e qeverisë, kjo për faktin se rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian kërkon reforma e arritje të mëdha, dhe se në këtë rrugëtim duhet të ecim së bashku në partneritet dhe me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Ai tutje shprehet se: “Kosova, duhet të jetë e përkushtuar fuqishëm në rrugën e saj drejt BE-së, përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Agjendës për Reforma Evropiane si korniza kryesore themelore, kështu që dinamika dhe përkushtimi duhet të shihen në reformat të cilat janë indikacion i një baze të fortë të potencialit të Kosovës në zhvillimin e shpejt të saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në këtë raport nuk ka mbetur pa u cekur edhe procesi i “Vettingut”, i cili është shumë kompleks dhe duhet të jetë i mirë përgatitur në të kundërtën mund të paralizohet komplet sistemi prokurorial dhe gjyqësorë. Funksionimi i drejtësisë është parakusht kryesor për krijimin e shtetit ligjor në të cilin respektohen të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve”.

Tutje avokati Morina thekson se drejtësia e një vendi mirëmbahet nga funksionimi i sistemit gjyqësorë si dhe mbështetja nga nga puna profesionale dhe e paanshme e sistemit prokurorial,

“Prandaj, në ketë stad vetë procesi i “Vettingut” është një opsion i rëndë dhe nëse hyhet në një vlerësim të përgjithshëm atëherë është rrezik që të paralizohet ose të vihet deri tek rreziku i funksionimit të mirëfilltë të sistemit gjyqësorë dhe prokurorial dhe kjo është një kosto që mund ta sjellë vettingu, e që një proces i tillë duhet të konsiderohet si mjet i fundit pasi që dihet se ekzistojnë mjete dhe mekanizma ligjor të cilët sigurojnë integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë”, ka thënë avokati Morina.