Masat anti-Covid, Vitia e kryetarët e komunave mblidhen sot

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të takohet sot me zyrtarët e Asociacionit të Komunave të Kosovës, për të diskutuar lidhur me masat anti-Covid.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i AKK’së, Sazan Ibrahimi. Takimi do të mbahet në orën 13:00.

“Në ora 13.00 e kemi takimin me ministrin Vitija. Pra, Aociacioni, kryetarët dhe ministri Vitia”, ka thënë Ibrahimi.

Ndryshe, Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizimit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka thënë se kanë kërkuar që të negociojnë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, që të hiqet ora policore në vend.

Sipas Sogojevës, arsyeja se pse kanë kërkuar nga Vitia që të hiqet ora policore është sepse nuk ka nevojë për një gjë të tillë sepse lokalet mbyllën në ora 21:30 dhe se nuk ka më qarkullim.

Tutje, ai thotë se sektori i gastronomisë ka qenë më i prekuri nga masat e marra për parandalimin e përhapjes së virusit korona.

“Sektori ynë ka qenë më i prekuri. Kur sektori i gastronomisë dhe i turizmit në përgjithësi ka një numër të madh punëtorësh, atëherë duhet të kihet kujdes me atë sektor dhe duhet të ketë një lloj fleksibiliteti me atë sektor”, ka thënë Sogojeva.