Arben Vitia vendos që ekipet e vaksinimit të punojnë edhe fundjavave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një konference për media ka thënë se nga java e ardhshme, ekipet e vaksinimit do të punojnë edhe vikendeve.

Kjo ka ardhur pas kritikave nga opozita dhe qytetarët për mbylljen e qendrave të vaksinimit gjatë fundjavës.

“Do të kemi mjaftueshëm vaksina”, tha Vitia, pasi paraprakisht njoftoi se kanë shkuar dëm mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca të cilave iu ka skaduar afati.

“Gjatë muajit gusht janë administruar mbi 410 mijë vaksina dhe në shtator ky numër do të rritet akoma. Ekipet e vaksinimit do ta intensifikojnë punën dhe do ta vazhdojnë punën edhe gjatë vikendeve, duke filluar nga vikendi i ardhshëm”, tha Vitia.

Ai tha se është e rëndësishme që të zbatohen edhe masat e ndërmarra nga Qeveria, pasi theksoi se “Varianti Delta nuk po njeh moshë”.

Vitia tha se aktualisht në qendra të vaksinimit në nivel vendi janë 108,856 doza Pfizer dhe 46,947 doza AstraZeneca.

“Ne e përshëndesim çdo thirrje edhe nga opozita që të kyçen në këtë çështje”, tha Vitia.

Ai tha se janë të hapur për bashkëpunim. “Kjo është betejë e përbashkët.”