Për herë të parë që nga rënia e komunizmit Putini ia ndalon OSBE-së monitorimin e zgjedhjeve ruse

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shkuar edhe një hap tutje në mbytjen e demokracisë, duke mos e lejuar OSBE-në t’i monitorojë zgjedhjet për Dumën ruse, me pretekstin se numri i madh i vëzhguesve është i panevojshëm.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë të mërkurën se nuk do të dërgojnë fare vëzhgues në Rusi për zgjedhjet e përgjithshme të muajit të ardhshëm, shkak kërkesa e Putinit për një kufi të numrit të vëzhguesve. “Ky është imponim i pa logjikshëm i autoriteteve ruse”, tha Matteo Mecacci, drejtor i Zyrës së OSBE -së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). “Na vjen shumë keq që vëzhgimi ynë i zgjedhjeve të ardhshme në Rusi nuk do të jetë i mundur”, tha ai.

“Por aftësia për të përcaktuar në mënyrë të pavarur numrin e vëzhguesve të nevojshëm për ne që të vëzhgojmë në mënyrë efektive dhe të besueshme është thelbësore për të gjitha vëzhgimet ndërkombëtare”, shtoi ai në një deklaratë. Sipas tij, “këmbëngulja e autoriteteve ruse për të kufizuar numrin e vëzhguesve që mund të dërgonim pa ndonjë kufizim të qartë të lidhur me pandeminë, fatkeqësisht e ka bërë hapin e sotëm të pashmangshëm”.

Deklarata e lëshuar nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) tha se Rusia kishte ftuar si ODIHR ashtu edhe asamblenë parlamentare të OSBE për të vëzhguar votimin e planifikuar për 17-19 shtator.

Por shtoi se Rusia më vonë kufizoi numrin e vëzhguesve në 60 për dy institucionet e OSBE-së, duke përdor shkak situatën epidemiologjike në vend. OSBE-ja vuri në dukje megjithatë se “aktualisht, asnjë kufizim i lidhur me pandeminë ose rregulla për operimin dhe lëvizjen brenda vendit nuk duket të parandalojë vendosjen e një misioni të plotë vëzhgues të zgjedhjeve në përputhje me vlerësimin fillestar të ODIHR-it”. OSBE tha se institucionet e saj ishin përgatitur që të respektonin çdo rregull që lidhej me koronavirusin, duke shtuar se ata kishin arritur të vëzhgonin zgjedhjet në shumë vende gjatë rrjedhës së pandemisë. “Përgjigjet e dhëna nga autoritetet ruse nuk ofruan sqarime të mjaftueshme se pse kufizimet ishin të nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit kur mund të merreshin masa të tjera parandaluese”, tha OSBE.

ODIHR përcaktoi në fillim të këtij viti se ishin të nevojshme 500 vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër për zgjedhjet ruse. “Unë jam shumë e zhgënjyer që kufizimet e vendosura nga autoritetet kombëtare që pengojnë OSBE -në që t’u sigurojë votuesve rusë një vlerësim transparent dhe autoritar të zgjedhjeve të tyre, siç kemi bërë vazhdimisht që nga viti 1993”, tha Margareta Cederfelt, presidente e asamblesë parlamentare të OSBE -së. /Ballkani.info/