BE: Mundësia për marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, s`ka kohë për të humbur

Krerët e diplomacisë së BE po mbajnë një debat strategjik mbi Ballkanin Perëndimor dhe baza për këtë është një dokument jozyrtar i përpiluar nga kryediplomati evropian, Josep Borrell.

Në “non-paper” mbi “Angazhimin e zgjeruar të BE në Ballkanin Perëndimor”, për të cilën Tanjug raporton se e ka parë, thuhet se Serbia pritet të përshpejtojë dinamizmin e reformave në vend, por gjithashtu të përdorë shansin për të arritur një marrëveshje me Kosovën .

Teksti i dokumentit vlerëson se autoritetet në Beograd dhe Prishtinë aktualisht kanë një “mandat të fortë”, të fituar në zgjedhje, të cilin “ata duhet të përdorin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin”.

“Asnjëra palë nuk ka kohë për të humbur”, thuhet në tekst.

Në të shtohet se BE po punon për të mundësuar vazhdimin e procesit të negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.

Prishtinës i kërkohet të bëjë “përpjekje vendimtare të reformës” si dhe “përparim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE” në mënyrë që të ecë përpara në rrugën e saj evropiane.

Duke theksuar se është e nevojshme të “përshpejtohet procesi i integrimit” të Serbisë, Beogradi thirret të përshpejtojë reformat “veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe qeverisjes”, por gjithashtu “të konsolidojë orientimin e tij gjeopolitik”.

“Më shumë investime politike duhet të investohen në këtë”, theksohet më tej në dokument.

Dokumenti thekson se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është “një interes politik, sigurie dhe ekonomike” dhe “një investim në një Bashkim të qëndrueshëm dhe të prosperuar”.

“Ballkani Perëndimor ka një qëllim të qartë për t’u bërë një pjesë e plotë e BE dhe nuk dëshiron të jetë i kënaqur me bashkëpunimin e zgjeruar ekonomik, tregtar dhe financiar,” lexon teksti.

Si përfundim, BE bën thirrje për një qasje të unifikuar në Ballkanin Perëndimor, i cili do t’i drejtojë të gjitha forcat drejt “një qëllimi”, i cili është “puna për një të ardhme të përbashkët” dhe “lidhja e fortë e Ballkanit Perëndimor me BE-në”.