Daut Haradinaj: Ata që mendojnë se të kaluarën tonë do ta mbulojë pluhuri i harresës e kanë gabim

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, së bashku me anëtarë të Degës në Prishtinë kanë bërë homazhe te përmendorja e të pagjeturve në oborrin e Kuvend të Kosovës. Kjo parti kërkon nga institucionet që të punojnë intensivisht për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, u zotua se kjo parti do të përkrahë çdo iniciativë.

“Sot së bashku me kandidatin për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj dhe me kolegë të degës së Prishtinës po bëjmë nderime për të gjithë të pagjeturit.  Synimi ynë që të vërtetën ta sjellim sa më parë, kërkojmë nga institucionet që të punojnë më ngul për zbardhjen e fatit të pagjeturve. Zotohem si GP do të jemi në mbështetje të çdo iniciative. Duke e qartësuar të vërtetën e ndihmojmë historinë. Ne bashkëjetojmë me këtë dhimbje të familjarëve”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka thënë se dëshmorët dhe martirët e Mejës, dhe 1638 të zhdukurit janë themeli i Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008.

“Në kohën kur në tavolina shpiken harta dhe pozicione politike (non-paper me zajdenica), ne përkujtojmë me krenari sakrificën e popullit tonë, të heronjve, dëshmorëve, martirëve dhe të zhdukurve, si plagë e hapur e shoqërisë. Dëshmorët dhe martirët e Mejës, dhe 1638 të zhdukurit janë themeli i Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008. Çdo cenim i kësaj republike lëkund eshtrat e të vdekurve për këtë vend dhe zemrat e vuajtura të qytetarëve tanë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Më tej, Haradinaj shton se ata që mendojnë se të kaluarën e vendit do ta mbulojë pluhuri i harresës e kanë gabim.

“Paqja rajonale lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë për viktimat nga regjimi serb. Lavdi të gjithë të rënëve!”, ka përfunduar ai.