Vuçiq për “non-paper”: Të gjithë e mohojnë, por ai dokument u përpilua nga një grua e zgjuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se “non-paper” lidhur me marrëveshjen që duhet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë botuar nga mediat në Prishtinë u ideua nga dikush shumë më i zgjuar dhe më dinak se ai.

Ai shtoi se ideuesi i këtij dokumenti është dikush që ka njohuri me marrëdhëniet në Ballkan dhe se “interesat e lidhur” si të Serbisë ashtu edhe të shqiptarëve përfshiheshin në letër.

“Unë e lexova atë në një e gjysmë të natës së kaluar kur u ktheva nga Brukseli. “Non-paper” u krijua nga dikush që është shumë më i zgjuar, shumë më i zgjuar se unë, shumë më dinak. Shoh që të gjithë e mohojnë, por kjo “non-paper” e fundit më dha më shumë shqetësime sesa e para”, tha Vuçiq.

Ai tha se njohja e Kosovës nga Serbia, e cila përmendej në këtë letër, është “e tmerrshme”.

“Një gjë kryesore është në atë letër – është njohja e një Kosove të pavarur, e cila është e tmerrshme. Këtu janë 90% të gjërave që janë më pak të rëndësishme për ju, por gjëja më e rëndësishme shkon te ne”, tha Vuçiq.

Siç tha ai, rreth 50 njerëz në botë po merren me çështjen e Kosovës dhe dyshojnë për një person.

“Ajo është një grua fantastike e zgjuar, sepse mendoj se askush tjetër nuk mund ta përpilonte dhe ta bënte atë”, tha Vuçiq, duke shtuar se motivet politike ende nuk janë diskutuar.

Ai tha se ekspertë nga e gjithë bota “do të vraponin për të thënë “jo” dhe “po”.

Disa përkufizime për procesin që do të çonte në marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, janë përmbledhur në një “non-paper” që është publikuar dje. Letra thuhej se ishte nismë gjermano-franceze, gjë të cilën e mohoi ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

“E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak, sic e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, shkroi Rohde në Twitter.

Kjo letër, ndër tjerash përmend njohjen e Kosovës nga Serbia dhe se të dy shtetet duhet të pajtohen që të themelohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse.