Rasti “Vizat” – të akuzuarit deklarohen të pafajshëm, kundër tyre do dëgjohen 77 dëshmitarë

Në seancën e së premtes, prokuroria ka pretenduar se do të vërtetohet fajësia e ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Astrit Haraqija, si dhe tre të tjerëve, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, të akuzuar për krim të organizuar lidhur viza italiane, edhe një herë tjetër janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërkaq, mbrojtja ka pretenduar se të njëjtit janë të pafajshëm e se kjo do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Në fjalën e saj hyrëse, prokurorja speciale, Florije Shamolli ka deklaruar se në gjykatore do të dëgjohen 77 dëshmitarë.

“Nga provat të cilat do të administrohen në shqyrtimin kryesor, ku para këtij trupi gjykues do të dëgjohen 77 dëshmitarë të cilët në dëshmitë e tyre do të dëshmojnë si i akuzuari Ukë Rugova së bashku me të akuzuarit e tjerë ju ka mundësuar rregullimin e vizave italiane shëngen për këta klientë, që për këto viza kanë paguar shuma të ndryshme të parave deri në 4,000 euro për vizë për individë. Aplikacionet për këta klient gjatë një kontrolli u gjetën në rezidencën e të akuzuarit Ukë Rugova”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një numër i këtyre aplikacioneve ishin të shoqëruara me dokumente që pretendohej se ishin kontrata të punësimit dhe të njëjtat ishin të nënshkruar nga i akuzuari Qefser Baholli, e që këto informata përmbajnë informacione të rreme.

“Gjithashtu i akuzuari Ukë Rugova ,nga provat të cilat do t’i administrojë prokuroria në shqyrtimet kryesore, do të shihet se ka pranuar aplikacion edhe nga i akuzuari Astrit Haraqija. Ndërsa, i akuzuari Florian Petani ka luajtur rolin për sigurimin e vizave shëngen, e të cilat viza janë dhënë në mënyrë të paligjshme dhe i njëjti përmes komunikimeve të drejtpërdrejta ka biseduar me të akuzuarin Ukë Rugova dhe Izet Beqirin”, ka thënë ajo.

Tutje, prokurorja ka përmendur provat që do të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Provat të cilat do të administrohen në shqyrtimet kryesore siç janë prova nga përgjimi i telefonave mobil, prova nga vëzhgimi, prova të dokumentuara dhe konfiskuara gjatë bastisjes në rezidencën e të akuzuarit Ukë Rugova, prova të marra nga ekzaminimi i kompjuterëve të sekuestruara në rezidencën e të akuzuarit Ukë Rugova, siç është kompjuteri, raporte dhe dosje të viza të marra ndërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare nga autoritetet italiane, zbulimi i të dhënave financiare si dhe të gjitha dokumentet të cilat janë konfiskuar te të akuzuarit, si dhe armët të cilat janë gjetur në shtëpinë e të akuzuarve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, gjykata duke elaboruar një nga një do të bindet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen dhe të njëjtit do t’i shpall fajtorë dhe do t’i dënoj me dënim sipas ligjit.

Ndërkaq, avokati Nexhat Shabani, i cili mbron të akuzuarin Ukë Rugova, ka thënë se qëndron prapa fjalës hyrëse të dhënë më parë.

“Duke shtuar se mbrojtja do të fokusohet në atë se nga rezultati i hetimit, jo vetëm se nuk mund të vërtetohet se i mbrojturi im ka kryer veprat penale të përfshira në aktakuzë, por do të vërtetohet se ndaj të mbrojturit tim është shkel norma juridike e nivelit të të drejtave që hyjnë në kuadër të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Mbrojtja do të ripotencoj mungesën e provave të vërtetimit të bazës së aktakuzës. Nga provat e propozuara nga prokuroria do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbrojtja do të ketë kërkesë për gjykatën që të fokusohet sidomos në çështjen e kualifikimit të turistit si person i kontrabanduar dhe mungesës së bazës juridike për një kualifikim të tillë nga ana e prokurorisë.