Pacolli pas vaksinimit të Kurtit: Politikanët të mos e shfrytëzojnë donacionin
Deputeti Behgjet Pacolli ka reaguar pas marrjes së vaksinës anti-COVID nga kryeministri Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook ka thënë se për vaksinën kanë nevojë më shumë qytetarët sesa njerëzit e politikës.
Sipas tij, politikanët kanë mundësi ta mbrojnë vetën, e të mos e shfrytëzojnë donacionin.
“Vaksina ’Astra Zeneca’ e cila erdhi si donacion nga aleanca Covax, është e sigurt dhe e suksesshme në miliona njerëz në mbarë botën. Qytetarët dhe ata që përballen çdo ditë me Covid kanë nevojë për këtë donacion, më shumë sesa njerëzit e politikës, të cilët kanë më shumë mundësi ta mbrojnë veten, e jo duke shfrytëzuar donacionin”, ka thënë ai.
Pacolli të dielën e ka quajtur banale ceremoninë e pranimit të vaksinave, ndërkaq donacionin të rëndomtë.
Kryeministri pas marrjes së vaksinës ka thënë se nuk ka shkuar që të shfrytëzoje privilegjin që të vaksinohet i pari por të inkurajojë qytetarët që të vaksinohen.