Rrahmani: Derisa politikanët shqiptarë po shtyhen për karrige, Vuçiqi do t’i kontrollojë 13-14 deputetë

Kandidati për deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI), Qazim Rrahmani, ka thënë se Lista Serbe dhe Beogradi kanë bërë organizim politik duke shpërndarë votën e komunitetit serb te komunitetet e tjera në mënyrë që të kontrollojnë më shumë sesa 10 deputetë (nga vendet e rezervuara).

Rrahmani, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se kandidatja për deputete nga komuniteti boshnjak, Adrijana Hoxhiq, nuk mund ta përfaqësojë më mirë minoritetin serb sesa vetë përfaqësuesit e këtij minoriteti.

“Ne mund t’i hedhim çfarëdo fasade kësaj që ka ndodhur në Kosovë, por kjo është edhe hajgare dhe shumë e ulët për arsye se këtu është i shtrirë ndikimi i pushtetit serb – më saktësisht i Beogradit dhe Listës Serbe. Nuk mund ta dojë Adrijana Hoxhiq minoritetin serb më shumë sesa vetë përfaqësuesit e komunitetit serb që janë për 10-15 vjet përfaqësues në Kuvendin e Kosovës. Ato vota më lehtë do të ishin te Lista Serbe sesa te Adrijana Hoxhiq”.

“Duhet i gjithë shteti i Kosovës dhe institucionet të ngriten në këmbë dhe ta ruajnë sigurinë dhe të drejtën e qytetarëve të saj. Këtu është shkelur e drejta e komuniteteve ashkali dhe egjiptian. 8000 romë, sipas Entit të Statistikave në regjistrimin e vitit 2011, ekzistojnë në Kosovë. Ekzistojnë 11.500- 12.000 egjiptianë dhe janë mbi 21.000 ashkalinj. Edhe fëmijët e djepit nga komuniteti rom sikur të votonin nuk ka pasë mundësi të merren votat dhe të përfaqësohen me dy deputetë. Ky është organizim politik i Listës Serbe dhe Beogradit”.

Ai ka thënë se derisa politikanët shqiptarë po shtyhen për karriga, në Kuvendin e Kosovës do të jenë 13 ose 14 deputetë që do të kontrollohen nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Derisa shumica shqiptare po përlahen mes vete për pozitat e tyre në Kuvend, ja çka po i ndodh tani Kosovës. Kosovës po i ndodh që ushtrimi i ndikimit rus dhe serb po bëhet drejtpërdrejt. Duke i harruar të gjitha minoritetet dhe duke shikuar vetëm karriget, tani në Kuvendin e Kosovës do të kemi 13-14 deputetë që do të jenë të ndikuar drejtpërdrejt nga [Aleksandar] Vuçiqi dhe të cilët asnjë marrëveshje ndërkombëtare, që është në të mirën e Kosovës, ndoshta nuk do ta kalojnë”.

Rrahmani ka thënë se ky është një diskriminim që po i bëhet komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian, derisa ka kërkuar nga institucionet relevante që të merren me këtë çështje.

“Iniciativa e formuar nga romët dhe po ashtu e [Adrijana] Hoxhiq është e ndihmuar nga komuniteti serb, respektivisht nga pushteti i Beogradit që t’i ketë nën kontroll 2/3 e minoriteteve brenda Kuvendit të Kosovës. Asnjë amandament kushtetues dhe asnjë marrëveshje ndërkombëtare që është në të mirën e Kosovës, nëse përdoret veto e Listës Serbe me deputetët e tjerë të minoriteteve joserbe që i arrijnë 2/3 e deputetëve brenda 20shes nuk do të mund të kalojë. I është bërë dëm drejtpërdrejt komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian”.

“Lista Serbe bashkë me pushtetin serb është munduar dhe po mundohet që të na dëmtojë. Këtu është bërë shkelje e të drejtave të njeriut. Si është e mundur një komunitet tjetër të dërgojë një deputet nga një komunitet tjetër dhe ta shkelë prapë një komunitet tjetër? Ky është diskriminim i drejtpërdrejtë. Në këtë rast po shkelen komunitetet rom, egjiptian dhe ashkalinj me iniciativën e Listës Serbe”.