A mund të votojnë Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi në zgjedhjet e 14 shkurtit, flasin nga Gjykata Speciale

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mund të votojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit në bazë të kornizës adekuate ligjore në Hagë.

14 shkurti do të jetë dita kur qytetarët e Kosovës do t’ia mësyjnë kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Partitë politikë të shtunën kanë publikuar edhe listat e kandidatëve për deputetë dhe ndryshe prej zgjedhjeve të kaluara në këto kanë mungesa të figurave mjaft të rëndësishme partiake.

Partia Demokratike e Kosovës do t’i hyjë garës pa kryetarin e saj, Kadri Veseli, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje pa ish- deputetin Rexhep Selimi.

Mungesë do të ketë edhe Nisma për Kosovën, pasi që, nënkryetari i saj Jakup Krasniqi mungon.

Në zgjedhje të 14 shkurtit do të mungojë edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, dy krerët e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj dhe bashkëluftëtarët tjerë që tashmë gjinden në paraburgim në Hagë.

Ish- krerët e UÇK-së do të mungojnë në votim, por atyre do t’iu mundësohet votimi atje brenda kornizës adekuate ligjore.

Gjykata Speciale në një përgjigje të dhënë për Ballkani.info, ka treguar se si mund të votojnë ish-krerët e UÇK-së.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës ofrojnë mbështetje për të paraburgosurit, brenda kornizës adekuate ligjore, që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Ballkani.info.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi është konfirmuar  më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. 

 Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Të pyetur nëse ish- presidenti Hashim Thaçi dhe ish-krerët tjerë do të mund të lirohen me kusht, Gjykata Speciale ka thënë për Ballkani.info, se nuk ka asnjë vendim për këtë.

Lidhur me pyetjen tuaj të nëse do të pranohet kërkesa e ndonjë prej avokatëve të të akuzuarve për lirim me kusht, të gjitha dokumentet publike përfshirë parashtrimet e Mbrojtjes, janë të publikuara në faqen tonë të internetit. Ju mund t’i gjeni ato në faqet e çështjeve: https://www.scp-ks.org/sq/cases/hashim-thaci-dhe-te-tjeret. Siç do ta shihni, Mbrojtja ka parashtruar kërkesa për lirim të përkohshëm dhe ZPS-ja ka parashtruar përgjigjen e tyre. Sidoqoftë, nuk ka asnjë vendim të publikuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake për lirimin e përkohshëm në çështjen Thaçi dhe të tjerë”, ka përfunduar Gjykata Speciale për Ballkani.info./Ballkani.info./