Hoti: Kurti në vend që të ndihmojë njerëzit nga vërshimet kërcënon me prokurorë

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratave të kreut të VV’së, Albin Kurti, i cili tha se do të insistojë që Prokuroria të nisë hetime ndaj pronarëve të gurëthyeseve, inspektorëve e politikanëve që morën vendime për ndërtime të rrugëve, pas përmbytjeve nga shiu.

Hoti ka deklaruar se Kurti do duhej të kërkonte angazhim nga Qeveria, e jo të kërcënojë me prokurorë.

“Ne nuk do ta kursejmë askënd në këtë fushatë. Nuk do të lejojmë që njerëzve tu shpërlahet truri. Kosova që tre ditë përballet me vërshime, Kurti në vend se të kërkojë angazhim nga Qeveria, ai del dhe kërcënon se me prokurorë do të angazhohet se diku një rrugë apo një gardh nuk është ndërtuar mirë. Ai flet për këto gjëra në kohën kur njerëzit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Ne duhet të bëjmë çdo që të pamundësojmë këtë model të qeverisjes”, ka deklaruar Hoti.

Ai tutje ka thënë se në kohën kur ka marrë postin e Kryeministrit, e ka gjetur Kosovën të izoluar e me sqanksione.

“E kemi marrë qeverisjen kur Kosova ishte e izoluar dhe me sanksione. Por pas disa javësh kemi kthyer relacionet me bashkësinë ndërkombëtare, kishim disa vizita në Bruksel e në vendet tjera evropiane. Pastaj erdhi marrëveshja e Uashingtonit që është e mirë për Kosovën. Ne e morëm qeverinë në kohën kur kishte kërcënime serioze për tërheqje të trupave amerikane ndërsa arritëm si qeveri që ushtrinë e Kosovës ta dërgojmë në misione bashkë me ushtrinë amerikane. Ky është ndryshim komplet i kursit, si dita me natë, me ata që ishin para nesh në qeverisje”, tha Hoti.

Ndërkohë, kreu i VV’së, Albin Kurti, sot ka përmendur vendet të cilat pësuan më së shumti nga përmbytjet, Kurti ka thënë se shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20-vjeçare.

Ai ka thënë se do të insistohet që Prokuroria të nisë hetimet për ndërtuesit e rrugëve, inspektorët dhe politikanët që kanë marrë vendim për hapjen e tenderëve.

“Ne do të insistojmë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikëqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset. Është marre dhe është mëkat që me taksat e këtij populli të paguash çmimin shumë të shtrenjtë për rrugët krahasuar me rajonin, e në fund ato të jenë të cilësisë më të dobët”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.