Fetoshi: PDK më ka bërë ftesë që t’i bashkohem, do të jem pjesë e listës së saj në zgjedhje

Profesori Arben Fetoshi është aderimi i radhës në Partinë Demokratike të Kosovës.

Fetoshi ka thënë se shpreson që më 14 shkurt politika do të merr një kthesë tjetër në vend.

I ftuar në T7, ai ka treguar se PDK-ja ia ka bërë ftesën që t’i bashkohet këtij subjekti, dhe se do të jetë pjesë e listës së PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ishte ftesë e PDK-së që t’i bashkohem garës dhe ekipit të profesor Hoxhaj. Unë do të jem në listën e PDK-së për zgjedhjet e 14-shkurtit. Shpresoj që simbolika e kësaj gare të reflektoj një kthesë politike”, ka thënë ai.

Fetoshi ka deklaruar se kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj, është politikani me më vizion në Kosovë.

“Nuk është esenciale nëse unë besoj nëse PDK i fiton këto zgjedhje ose jo, sepse jam i ndërgjegjshëm për momentin sfidues edhe të zgjedhjeve. Unë besoj që z. Hoxha përfaqëson kandidatin më të duhur për qeverinë e ardhshme. Ai është një nga politikanët më me vizion. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë kruciale që ka ruajtja dhe kultivimi i marrëdhënieve të mira në veçanti me SHBA por edhe Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.