Hoxhaj kritikon ashpër sjelljen e Vjosa Osmanit në rolin e ri si u.d. e presidentes

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka folur për rolin e Vjosa Osmanit si ushtruese e detyrës së presidentit të vendit.

“Vjosa Osmani më shumë është sjellë gjatë kësaj përiudhe si një kryetare e një partie në krijim e sipër, sesa që e ka luajtur rolin e një pozitë që duhet ta ketë”, ka thënë Hoxhaj në “Debat” të RTK-së.

Sipas Hoxhajt, ai nuk ka parë te zonja Osmani ndonjë projekt të qartë dhe se cilat janë pritjet e saj në këtë situatë në të cilën është vendi.

“Zonja Osmani gjatë kësaj përiudhe do të mund ta ftonte një tryeze të partive politike për gjendjen aktuale në vend. Nuk ka parë një komunikim as me partnerët ndërkombëtarë. Më shumë kemi parë një përpjekje të saj duke u marrë me emërime, përdorimin e një logoje tjetër në dokumentet shtetërore, e që është e kundërligjshme”, ka thënë Hoxhaj, duke marrë për bazë atë që Osmani e ka përdorur në paraqitjet publike dhe në komunikatët zyrtare e që është stema e Ibrahim Rugovës. Ndërkaq sa i përket ndarjes së dekoratës nga Osmani për Rifat Jasharin, Hoxhaj ka thënë se edhe ish presidentët Thaçi dhe Jahjaga ia kishin ndarë një dekoratë të tillë përfaqësuesit të familjes Jashari.