Dy muaj pa shi, Ujësjellësi “Prishtina” tregon a ka ujë të mjaftueshëm në dy liqenet

Klima në Kosovë po mbizotërohet nga një thatësi e madhe që disa javë.

Kanë kaluar disa muaj që në disa vende të Kosovës nuk ka pasur të reshura të shiut. Nga thatësia e madha, disa zona në rajonin e Dukagjinit po përballën më vështirësi të mëdha për furnizim me ujë të pijes.

Tashmë fshatrat e komunës së Klinës janë thuajse në zonën e kuqe të furnizimit me ujë të pijshëm, shkruan lajmi.net.

Komuna po bartë ujë me cisterna deri tek puset e qytetarëve.

Por, cila është gjendja e furnizimit më ujë të pijshëm për banorët e tetë komunave që furnizohen me ujë nga dy liqenet akumuluese, ai i Batllavës dhe Badocit, që janë nën autoritetin e kompanisë rajonale KUR “Prishtina”?

Arieta Mjeku Azizi, zëdhënëse në KRU “Prishtina” sh.a tha për lajmi.net se gjendja me furnizim të ujit është stabile dhe se aktualisht nuk ka shenja të mëdha për reduktime të ujit.

“KRU ” Prishtina ” është duke e mbajte një tempo të rregullt të furnizimit me ujë të pijshëm në tërë zonën e shërbimit dhe nuk jemi duke aplikuar asnjë reduktim. Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 629.48 metra mbi nivelin e detit ose – 5.52 metra nën nivelin e kapërderdhjes, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është 639 metra mbi nivelin e detit ose – 10.85 metra nën nivelin e kapërderdhjes. Nuk ka ndryshim të theksuar tash, krahasuar me muajin tetor 2020, Badoci qe një kohë është mbi 10 metra nën nivelin e kapërderdhjes, ndërsa njejtë qëndron edhe liqeni i Batllavës i cili në fillim të muajit tetor ka qenë mbi 4 metra nën nivelin e kapërderdhjes ndërsa tash është mbi 5 metra nën nivel të kapërderdhjes”, tha Mjeku –Azizi.

Ajo tha se, krahasuar me vitet paraprake, muaji tetor-nëntor ka qenë me reshje, ndërsa këta dy muaj nuk ka reshje ende.

“Varësisht nga kushtet atmosferike në periudhat vijuese, do e menaxhojmë edhe situatën rreth furnizimit me ujë. Nuk mund të flasim për reduktime tash, ngase varësisht nga situata që do e kemi do e menaxhojmë dhe do të konkretizohet çfarëdo veprimi, përkitazi me situatën”, shtoi tutje zëdhënësja e KUR “Prishtina”.

Kjo kompani rajonale bënë prodhimin, përpunimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit , Graçanicës, Shtimes, Lipjanit, Podujevës dhe Drenasit, si dhe bënë trajtimi i ujërave të zeza.