Delegacioni i Izraelit arrin në Bahrejn për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve

Një delegacion i Izraelit bashkë me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Steve Mnuchin, kanë mbërritur në Bahrejn të dielën për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve të Lindjes së Mesme.

Bahrejni i është bashkuar Emirateve të Bashkuara Arabe në arritjen e marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, lëvizje kjo që vjen për të qetësuar tensionet në Lindjen e Mesme.

Marrëveshja mes dy palëve ishte arritur me ndihmën e presidentit amerikan Donald Trump, gjë që i siguroi këtij të fundit sukses në sferën e politikave të jashtme, në prag të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklarim publik ka thënë se delegacionet do të punojnë në bashkëpunim për të “rregulluar traktatin e paqes”.

Izraeli dhe Bahrejni kanë nënshkruar “Deklaratën për Paqe, Bashkëpunim dhe Marrëdhënie Konstruktive Diplomatike dhe Miqësore”, në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator, raporton Reuters.

I dërguari i SHBA-së në Lindjen e Mesme, Avi Berkowitz, ka thënë se Izraeli dhe Bahrejni do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për “zhvillim të turizmit dhe marrëdhënie diplomatike”.

Ndërkaq, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të nënshkruajnë marrëveshje të martën për të lejuar fluturimet në aeroportin e Izraelit, Dubait dhe Abu Dhabit për 28 javë, ka thënë Ministria e Transportit të dielën, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy palëve për normalizim të marrëdhënieve.