Zemaj pas mbylljes së lokaleve: Ashpërsimi i zbatimit të masave do të vazhdojë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se dje ka qëndruar në terren për të parë nga afër se a po respektohen masat.

Zemaj ka thënë se pas inspektimit u gjobitën dhe u mbyllën shumë kafiteri për mosrespektim të masave. Ky ashpërsim i zbatimit të masave do të vazhdojë!


“Mbrëmë, bashkë me Inspektoratin qendror dhe atë lokal, të mbështetur nga Policia e Kosovës isha në terren për të parë nga afër ashpërsimin e zbatimit të masave, të cilin e paralajmëruam gjatë ditës! Pas inspektimit, për shkak të mosrespektimit të masave, u gjobitën dhe u mbyllën shumë kafeteri”, ka thënë Zemaj.

Ai tutje është shprehur se ashpërsimi i zbatimit të masave do të vazhdojë.

“Ky ashpërsim i zbatimit të masave do të vazhdojë! Prandaj, për ta ruajtur shëndetin dhe jetët tuaja, kërkoj nga të gjitha bizneset dhe qytetarët që të zbatojnë masat për parandalimin dhe përhapjen e Covid-19, përndryshe do të ketë ndëshkime! Lufta për ruajtjen e shëndetit publik nuk është luftë vetëm e institucioneve dhe e mjekëve por e të gjithëve”, ka thënë ai.