Korigjimi i kufirit Kosovë-Serbi dhe mundësia e bashkangjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën

Shkruan: Msc. Almin Shaqiri

Koncepti politik i “korigjimit”, realisht varet për nga qasja se si palet diskutojnë, qoftë ndarje, shkëmbim teritoresh ose edhe i ndarjes së teritoreve.

Dihet qartë që ky veprim, përcaktim i vijave kufitare nënkupton një marrëveshje për normalizim, stabilitet dhe gatishmëri për konceptin e fqinjësisë së mirë, sepse realisht koncepti i korigjimit të kufijve është një koncept dhe akt normal ndërmjet shteteve dhe një veprim apo process i pashmangshëm nëse duan që shtetet të arrijnë një marrëveshje ndër fqinjësore.

Por situata aktuale është pak më ndryshe mes Kosovës dhe Serbisë sepse këto procese të korigjimit apo shkëmbimit të teritoreve nuk mund të kenë sukses deri sa serbia e konteston shtetësinë e kosovës, dhe se tani dallojmë dy pozita të vendeve, atë që serbia e ka kryer punën e saj në kosovë duke spastruar etnikisht veriun nga shqiptarë dhe duke avancuar serbët si kategori kushtetuese, ndërsa me politikat e saj shumë regresive ka dobësuar dukshëm si pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës poashtu edhe ndikimin e shtetit të kosovës mbi Luginën e Preshevës dhe përmes politikave të saj ka spastruar Luginën e Preshevës duke arritur ta përgjysmojë me shqiptarët autoktonë.

Koncepti i korigjimit të kufijve ka futur në lojë dy rajone që administrativisht kanë qenë jashtë vullnetit të tyre të qeverisura nga vendet fqinje, Lugina e Preshevës e qeverisur pa vullnetin e saj nga shteti serb, dhe Veriu i Kosovës i qeverisur nga shteti i Kosovës.

Tek rasti mes shtetit të kosovës dhe atij serb dallojmë një vecanti në këtë pike, sepse si kocept politik nuk kemi të bëjm me korigjim kufijsh, por me shkëmbim teritoresh por gjithashtu edhe shkëmbim mes popullatës së dy rajoneve, dhe pikërisht në këtë pike mund të konkludojmë që nuk ka korigjim apo ndryshim të vijave kufitare mes dy vendeve fqinje.

Bashkangjitja e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës

Shqiptarët e Luginës së Preshevës historikisht kanë dhënë verdiktin e tyre në të gjitha format qoftë demokratike apo jo demokratike (përmes konfliktit të armatosur) se dëshira e tyre e pa kontestueshme është bashkangjitja e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.

Vullneti i tyre politik frymëzon njëzëri pra kompakt drejt aspiratave që gjithmonë si rajon dhe popull të jenë unik për realizimin e qëllimit të vetëm, atë të bashkangjitjes së Luginës së Preshevës me shtetin e Kosovës.

 Që nga referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, që si mjet demokratik shqiptarët e Luginës së Preshevës e përdorën për të shprehur vullnetin e tyre për Autonomi politike dhe teritoriale me të drejtë bashkangjitjeje me Kosovën e deri tek lufta e armatosur e Ushtrisë Clirimtare për Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc e që përfundoi me marrëveshjen e Konculit, shqiptarët e Luginës kanë qenë të vendosur në kërkesat e tyre që nuk ka alternativë tjetër pos bashkangjitje me shtetin e Kosovës.

Dihet qartë që 20 vite pas luftës mes Kosovës dhe Serbisë tani më kosova është një realitet që e kemi ëndërruar ndër shekuj, tani më ajo është shtet, me pavarësi, e pranuar nga shumë shtete nëpër botë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Por, edhe pse të gjitha këto janë realitet, prap se prap Serbia vazhdon të loboj dhe kontestoj kundër shtetit të kosovës, ia konteston dhe kundërshton pavarësinë,pra e mohon edhe vetë shtetin e kosovës si realitet dhe vazhdon të loboj kundër njohjeve dhe anëtarësimeve të shtetit të kosovës në organizatat ndërkombëtare, sepse ajo ende e konsideron kosovën si tërësi teritorile të saj, duke e patur dhe në kushtetutën e saj.

Që nga ulja e tyre në tavolinën negociuese Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por kemi hasur në mosgaditshmërinë e palës serbe për rrespektimin e këtyre marrëvshjeve, dhe refuzimin nga pala serbe që të njohë realitetin e shqiptarëve në rajon, dhe me këtë nënkuptohet që ende është larg arritja e marrëveshjes dhe paqes mes shqiptarëve dhe serbëve, dhe se ndoshta vetëm marrëveshjet nuk mjaftojnë për arritjen e paqes, por duhet një element tjetër si psh korrigjim i kufijve mes dy vendeve  që përgjithmonë të arrihet paqja në këtë rajon.

Dihet që korigjimi i kufijve nënkupton shkëmbimin e teritoreve, ky akt e fut në esencë pozitën e shqiptarëve në serbi dhe serbëve në kosovë, e që këta të fundit janë dhe kategori kushtetuese dhe pjesë e pandashme e legjislativit të shtetit të kosovës, pra kuvendit.

Duke i ditur pozitat e tyre, serbët në kosovë në mënyrë direkte, veprojnë konform direktivave të Beogradit, madje ata dhe refuzojnë cdo llojë bashkëpunimi ndër institucional me shtetin e kosovës dhe pa ndërpre lobojnë që Veriu i kosovës të ndërrohet me një pjesë të Luginës së Preshevës.

Duke e parë këtë diskurs politik të shtetit serb dhe pakicës serbe brenda kosovës, edhe pse si pakicë kanë avancuar shumë në të drejtat e tyre, tani më edhe pala kosovare përmes Presidentit të Republikës, Hashim Thaci ka aktualizuar cështjen e shkembimit territorial dhe ndryshimit të kufijve, duke e paraqitur si cështje themeltare për normalizimin e raporteve mes dy shteteve dhe dy popujve.

Pamvarësisht se rrjedhat politike kah do shkojnë, si do jenë interesat e fuqive të mëdha, shqiptarët e Luginës së Preshevës do jenë stoik në qëndrimet e tyre të qarta karshi faktorit ndërkombëtarë që vullneti i shprehur me referendum dhe përmes konfliktit të armatosur do vazhdojë përsëri deri në realizimin e qëllimeve që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës.

Autor i është Master i shkencave politike dhe Integrime Evropiane