Ja me sa vjet burg mund të dënohet Agim Bahtiri pas kërcënimit me vëllavrasje

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet ndaj kryetarit të kësaj komune, Agim Bahtiri, nën dyshimin për veprën penale ‘nxitja e përçarjes dhe mos durimit’.

Pas mocionit, e paralajmërimit se mund të krijohet qeveri e re pa shkuar në zgjedhje, Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës e anëtar i LVV-së kërcënoi me vëllavrasje.

Bahtiri paralajmëroi “konflikt vëllavrasje” nëse formohet pa Lëvizjen Vetëvendosje një shumicë e re parlamentare.

Por sa mund të dënohet Agim Bahtiri për këtë deklaratë e klasifikuar nga Prokuroria si “nxitje e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 i Kodit Penal të Kosovës?

Ballkani.info e ka parë këtë nen, pra nenin 141 dhe ai thotë:

1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

2. Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën nga paragrafi 1. i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

3. Kushdo që kryen veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni përmes shtrëngimit, rrezikimit të sigurisë, përqeshjes së simboleve kombëtare, racore, etnike apo fetare, duke dëmtuar pasurinë e personit tjetër ose duke përdhosur monumentet apo varrezat, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

4. Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën penale nga paragrafi 3. i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet. /Ballkani.info/