A po pajtohet AAK-ja me heqjen e taksës pas deklaratës nga SHBA-të? Flasin nga partia e Haradinajt

Deklarata e mbrëmshme e Departamentit të Shtetit Amerikan se nuk ka plan për ndarjen e Kosovës në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, ka shkaktuar polemika të mëdha në skenën politike në Kosovë, pasi që i njëjti qëndrim ishte demant i fortë i pretendimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për një gjë të tillë.

Sidoqoftë, një deklaratë e tillë ka lëvizur edhe pozicionet e ngrira të AAK-së për mos-heqjen e taksës, teksa ishte vet kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj ai që përmes një postimi të mbrëmshëm në Facebook e la të kuptohet këtë, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, kemi biseduar sot me deputeten e AAK-së, Time Kadriaj lidhur me çështjen se nëse partia e saj ka ndryshuar qëndrim pas garancisë së SHBA-ve, e që faktikisht ishte njëra ndër kërkesat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si kushtëzim për heqjen e taksës.

Ajo tha se deklarata e mbrëmshme e Departamentit të Shtetit Amerikan i plotëson disa nga kriteret e AAK-së.

“Ju e dini që taksa kur është vendosur është vendosur me kushtin që të sjellë një marrëveshje përfundimtare dhe që ajo marrëveshje të jetë me njohje të ndërsjellë me Serbinë në kufijtë aktual. Deklarata e mbrëmshme e State Department i plotëson ato kriteret e AAK-së, që do të ketë marrëveshje por s’do të ketë ndarje, ne e mirëpresim atë lajm”, ka thënë Kadriaj.

Sipas saj, pozicionimi i mbrëmshëm i ka hequr të gjitha spekulimet e ditëve të fundit nga ana e zyrtarëve të VV-së për një marrëveshje të fshehtë në Uashington.

Ajo thotë se garancioni i SHBA-ve se s’ka ndarje të Kosovës, por marrëveshje finale, është i pranueshëm për AAK-në.

“Mirëpo, ju e dini që ish-kryeministri Kurti e ka hequr një pjesë të taksës pa konsultim me partnerët ndërkombëtar e sidomos pa konsultim me SHBA-të. Na besojmë që deklarata e DASH-it ka qenë e qartë, që heq spekulimet që ka një marrëveshje të fshehtë, dhe se nuk po bëhet fjalë për ndarje të Kosovës. Momentin që ne marim nga amerika konfirmimin se nuk do të ketë ndarje por një marrëveshje me njohje, për ne do të jetë e pranueshme”, ka thënë Kadriaj.

Kujtojmë se AAK-ja ishte ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të heqjes së taksës.

Kjo parti kishte kërkuar vazhdimisht që në këmbim të heqjes së taksës, Kosova ta marrë njohjen nga Serbia në kufijtë aktual.