Dërgohet në spital grevisti i tretë, shfaqi probleme më frymëmarrjen

Dërgohet në spital dhe grevisti i tretë Aleksandër Mejdani, i cili shfaqi probleme me frymëmarjen. Naftëtarët e Ballshit janë sot në ditën e 6-të grevës së urisë dhe gjendja e tyre shëndetësore është rënduar, pasi ata kanë refuzuar ujin dhe mjekimin.

Kjo grevë urie ka sjellë edhe reagime nga ana e opozitës dhe e Avokatit të Popullit. Dy përfaqësues të Avokatit të Popullit, vizituan dje grevistët e Poçemit dhe ata të Ballshit, ku dëgjuan ankesat e grevistëve, të cilët kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura. Tek ata ka shkuar edhe ish-deputeti i PD-së Luan Baçi dhe ka deklaruar se pushtetarët i kanë lënë në mëshirë të fatit dhe se askush nuk pyet për ta. Ndërsa, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u bëri thirrje e strukturave të LSI-së në Fier që t’u qëndrojnë pranë punëtorëve. Ndërkohë dje administratori dhe partneri i Shoqërive “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” SHA, Blerim Hoxha, ka njoftuar se, duke marrë parasysh gjendjen e naftëtarëve, shoqëria do të paguajë së shpejti 3 paga.

Rafineria e Ballshit e administruar nga kompania “Tosk Energji” është mbyllur që në muajin shtator. Naftëtarët dolën disa herë në protestë në Fier, ku kërkuan që të merrnin pagat e tyre, por u dëgjuan nga autoritetet. Janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Bankers në një reagim pas mbylljes së rafinerisë, e ka hedhur fajin tek ‘Tosk Energji’, ku u shpreh se kjo kompani ka shkelur disa herë kontratat çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje e cila ka kaluar më pas për eksport.