Thëllohen përplasjet VV-PSD, zëdhënësi i reagon zëdhënëses për votat e Serbisë

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar për deklaratën e kandidates për deputete të PSD’së dhe zëdhënëses së kësaj partie, Natyra Kuçi, e cila tha se nuk do të dërgonte ankesë për vendimin e PZAP’së pasi që nuk donte të numëroheshin votat e Serbisë.

“Një kandidate për deputete e AAK-së, parti kjo e sapo dalë nga koalicioni me Listën Serbe dhe me ministra kriminel e dhunues shqiptarësh si Rikallo paska tentuar në 3 fjali të mbajë moral politik”, tha ai.

“Nga ish partiçkë që votonte buxhetin më të cilin qeveriste edhe Lista serbe madje nga pozita të larta shtetërore e deri te ministria e bujqësise dhe në vazhdimësi lëshonte dokumente me cirilike sonte, një kandidate, paska vendosur të na flijohet për çështjen”, shtoi Manxhuka duke kujtuar se AAK’së i duheshin votat e PSD’së për të qëndruar në qeveri.

“Populli e di dhe e ka ditur ku qëndron e vërteta. Me VETËVENDOSJE! s’ka me subjekte që Kosovës i referohen si Kosovë dhe Metohi dhe s’ka me subjekte që dergojnë ministra që kanë kryer krime në Kosovë. Ju e moret përgjigjen me 6 tetor”.

loading…