Çekia e ndryshon mënyrën e shitjes së biletave për ndeshjen me Kosovë, për shkaqe sigurie

Federata e Futbollit e Çekisë ka njoftuar se – duke qenë e vetëdijshme për, siç thotë, rrezikun e madh për sigurinë që mund të paraqesë ndeshja kualifikuese për Euro 2020 kundër Kosovës – ka vendosur ta ndryshojë mënyrën e shitjes së biletave për këtë takim, i përcaktuar të luhet më 14 nëntor në Pilsen.

Si rrjedhojë, tifozët cekë detyrohen të blejnë biletë për këtë ndeshje vetëm në zyrat e Stadiumit Doosan Arena në Pilsen – aty ku do të zhvillohet ndeshja – duke u paraqitur fizikisht dhe duke ofruar letërnjoftim të vlefshëm.

Po ashtu, federata çeke i ka paralajmëruar tifozët dardanë të Kombëtares së Kosovës se ata mund të blejnë biletë për këtë ndeshje vetëm përmes Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilës ia ka ndarë vetëm 627 sosh.

loading…