Reagon avokati i Salih Tahirit: Ai nuk është arratisur, të hënën do të paraqitet në polici

(Lajm i plotësuar) – Pas publikimit të lajmit se Salih Tahiri, vëllai i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nuk është gjetur dje nga policia në banesën e tij, pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Mitrovicës lidhur me dyshimet për ryshfet, ka reaguar avokati i tij, Ahmeti Tahiri.

Ai për Ballkani.info para pak çastesh ka thënë se se Salih Tahiri as nuk është larguar e as nuk është arratisur nga Kosova, dhe se të hënën do të paraqitet në polici.

“Salih Tahiri e ka ftesën nga policia që të paraqitet të hënën, më 7 tetor në stacionin policor, në orën 13”, ka thënë avokati Tahiri për Ballkani.info.

“Arratiset” vëllai i Xhafer Tahirit të LDK-së, policia nuk po e gjen pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria?

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës – Shyqyri Syla, ka urdhëruar dje Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e videoincizimit në portalin Indeksonline, publikuar më 03 tetor 2019, e në të cilat incizime pretendohet se dëgjohet Salih Tahiri, i cili është vëlla i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

Kryeprokurori Syla, ka kërkuar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, ndriçimin e këtij rasti si dhe ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me prioritet.

Ndërkohë, Ballkani.info nga burimet e veta merr vesh se policia nuk e ka gjetur dje në banesën e tij Salih Tahirin për ta investuar dhe se ai nuk është bërë i gjallë që nga dje.

“Policia nuk e ka gjetur Salih Tahirin në banesën e tij kur ka shkuar ta merr në pyetje pas urdhrit të Kryeprokurorit të Mitrovicës për nisjen e hetimeve. Duket sikur është arratisur”, ka thënë një burim i Ballkani.info.

Ballkani.info ka tentuar të flas me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, mirëpo ai nuk është përgjigjur në telefon.

Po ashtu është tentuar të kontaktohet edhe Xhafer Tahiri, por as ai nuk është përgjigjur në telefonatat tona.

Në videon e publikuar shihet qartë vëllai i Xhafer Tahirit të LDK-së, duke negociuar për dhënien e lejeve ndërtimore në Vushtrri dhe duke marrë para kesh në duar si ryshfet. /Ballkani.info/

loading…