A do të rritet çmimi i cigareve në 2019?

Çmimi i cigareve mund të rritet, pasi qeveria ka propozuar të rrisë ndjeshëm akcizën e duhanit në kuadër të paketës fiskale të vitit 2019.

Në projektligjin e paraqitur në Kuvend synohet ndryshimi i nivelit të akcizës për produktin e duhanit të grirë, purot, cigarillos dhe cigaret me zëvendësues duhani dhe shtimin e një produkti të ri “duhan me ngrohje”.

Ligji aktual, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë ” të ndryshuar, ka parashikuar për kategorinë “Duhan tjetër i përpunuar dhe zëvendësuesit e duhanit”, nivelin e taksimit në masën 4.400 lekë/kg.

Kurse me anë të këtij projektligji, propozohet që për këtë kategori niveli i akcizës të rritet në masën 6.000 lekë/kg.

Ky propozim bëhet me qëllim përafrimin apo barazimin e taksimit të produkteve të kësaj kategorie me kategorinë “Cigare që përmbajnë duhan”, ku propozohet që niveli i taksimit të bëhet 6000 lekë/kg, në të njëjtën masë të parashikuar në kalendarin e taksimit të cigareve më 1 janar 2019.

Referuar të dhënave për shtetet Kosovë dhe Maqedoni, rezulton se për këto dy kategori, niveli i taksimit për njësi konvencionale është i njëjtë.

Me qëllim përafrimin e mëtejshëm me Direktivën e BE 2011/64, e cila përcakton nivelin minimal të akcizës për duhanin e grirë të paktën 60 euro për kg, riskedulimi i rritjes siguron një politikë të qëndrueshme taksimi sipas standardeve të BE-së, thuhet në projekligj.