Mourinho: E meritova shkarkimin nga Manchester United

Jose Mourinho e pranon se e kishte merituar shkarkimin nga posti i trajnerit të Manchester United, por ka këmbëngulur se nuk ndihet i lumtur kur i sheh “Djajtë e Kuq” duke vuajtur nën udhëheqjen e Ole Gunnar Solskjaer.

Unitedi u mposht me plot meritë 2-0 nga West Hami të dielën, dhe si pasojë ra në pozitën e tetë në renditjen tabelore në Premierligë.

Klubi renditej në vendin e gjashtë kur Mourinho u shkarkua në mes të sezonit të kaluar, me tifozët që ishin të pakënaqur me atë që e vlerësonin si futboll tejet mbrojtës nga trajneri portugez.

“Nuk jam personi i duhur për t’u përgjigjur”, tha Mourinho i pyetur nga Sky Sports për problemet e Unitedit.

“Unitedi ka ngelur shumë mbrapa. Është e vështirë të përgjigjesh. Kam qenë atje për dy sezone dhe ndieja se kishim shumë gjëra pozitive dhe e ndieja drejtimin në të cilin po shkonim, por pastaj natyrisht sezoni i tretë nuk ishte mjaftueshëm i mirë”, shtoi ai.

“Unë u shkarkova. Mbase e meritova sepse unë isha përgjegjës si trajner, por realiteti i hidhur është se ata janë më keq së më parë”, theksoi ai.

loading…