Xavi pretendon se pasuesi i Messit dhe Ronaldos është Sterling

Legjenda e Barcelonës, Xavi, beson se Raheem Sterling është në rrugë të drejtë për t’u bërë futbollisti më i mirë në botë, kur Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo të largohen nga futbolli.

Ylli i Manchester Cityt, Raheem Sterling, e ka nisur sezonin e ri, 2019/20, në mënyrë mbresëlënëse, duke i shënuar tetë gola për klubin e tij dhe ekipin kombëtar të Anglisë.

Kontributi i tij me gola, por edhe ndikimi i tij i përgjithshëm në ndeshje, është përmirësuar nën udhëheqjen e Pep Guardiolës dhe tani 24-vjeçari është njëri ndër futbollistët më të vlerësuar në botë.

Sterling e fitoi çmimin “Golden Boy” të Evropës në vitin 2014 – çmim ky që i dhurohet talentit më premtues të kontinentit – dhe Xavi mendon se anglezi është në rrugë të mbarë për ta zëvendësuar Messin dhe Ronaldon në të ardhmen.

“Messi është më i miri në histori për mua, dhe edhe pse që të dy [Messi dhe Ronaldo] janë ende duke luajtur në nivel shumë të lartë, shpejt do të vijë dita kur dikush tjetër duhet ta marrë rolin e tyre”, tha Xavi.

“Ne i shohim lojtarët e rinj që mund të kurorëzohen si më të mirët në botë në të ardhmen. Ne ende mendojmë për Neymar, Kylian Mbappe, Mohamed Salah dhe, natyrisht, Sterling. Për momentin, Sterling është duke e fituar atë garë”.

“Ai gjithmonë ka qenë një futbollist i talentuar, një futbollist i rrezikshëm. Por, nën drejtimin e Pep, ai është bërë njëri ndër më të mirët në botë”.

“Unë e di se si punon Pep – ai do të ketë punuar ngushtë me Sterlingun që kur arriti në Manchester City, duke i treguar atij se për çfarë duhet të punojë më shumë dhe në çka duhet të përmirësohet”.

“Tani po i shohim rezultatet e kësaj pune. Ai është ende i ri dhe mund të bëhet më i miri në botë”.

loading…