Britania e Madhe ua refuzon azilin 3100 pjesëtarëve të komunitetit LGBT

Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe ua ka refuzuar kërkesat për azil së paku 3100 pjesëtarëve të komunitetit LGBT, të cilët vinin nga shtetet që marrëdhëniet mes personave të gjinisë së njëjtë i cilësojnë si krim të dënueshëm.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, së paku 1197 pakistanezëve nga viti 2016 deri në vitin 2018 u është refuzuar kërkesa për azil në Britani pasi ata kërkuan mbrojtje për shkak të orientimit të tyre seksual.

Kërkesa për azil u është refuzuar edhe 640 pjesëtarëve të LGBT-së nga Bangladeshi dhe 389 qytetarëve nga Nigeria, të cilët kishin aplikuar për azil për shkak të orientimit seksual, i cili është i dënueshëm në vendet e tyre.

Në Pakistan, marrëdhëniet mes personave të gjinisë së njëjtë paraqesin krim dhe personat që e bëjnë këtë vepër dënohen me burgim të përjetshëm.

Organizata për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, ka thënë se personat transgjinorë në këtë shtet përballen shpesh me sulme të dhunshme. E njëjta gjë ndodh edhe me personat e komunitetit LGBT në Bangladesh.

Në Nigeri, marrëdhëniet homoseksuale dënohen me 14 vjet burgim dhe shumë njerëz duan të largohen nga ky shtet pikërisht për shkak të këtij ligji, shkruan “The Guardian”.

loading…