Vjosa Osmani flet rreth koalicionit me Vetëvendosjen e deri te shkarkimi i Thaçit

Në emisionin Pressing të Televizionit 7, Vjosa Osmani, kandidatja e parë grua që synon postin e Kryeministres së Kosovës, ka folur për jetën e saj dhe për hapat e parë në politikë dhe në LDK. Osmani ka folur edhe për shumë tema aktuale politike duke filluar nga dialogu me Serbinë dhe taksën 100%, shkarkimin e Hashim Thaçit nga posti i Presidentit, koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe kush e propozoi atë si kandidate për Kryeministre.

Vjosa Osmani pas nominimit të saj ditën e djeshme nga Lidhja Demokratike e Kosovës për Kryeministre në një intervistë ekskluzive në Pressing në T7 ka folur për aktivitetin e saj në LDK qysh nga viti 1999.

Vjosa Osmani ka thënë se vjen nga familje aktiviste e LDK’së dhe se është rritur në frymën e përkrahjes ndaj partisë, kandidate e së cilës është.

“Jam rritur në Mitrovicë, në një familje ku jemi 4 motra dhe një vëlla”, ka treguar Osmani.

Ajo thotë se shembulli i saj e paraqet LDK’në, duke e përshkruar vetën se një vajzë të re që ka filluar karrierën në këtë parti, e tash ka marrë përkrahjen nga e gjithë LDK’ja për t’u bërë kandidate për kryeministre.

Kandidatja për kryeministre të Kosovës nga ana e LDK’së, Vjosa Osmani, ndër të tjera ka folur edhe për dialogun me Serbinë, që është i obliguar nga Bashkimi Europian.

“Dialogun me Serbinë do e mbyllim me anë të ideve tona”, ka thënë Osmani.

“Serbinë nuk do e mundim me muskuj por me mend. Nuk e mundim duke bërë takime me Putinin.Unë besoj që Lëvizja Vetëvendosje do na bashkohet” tha ajo.

Vjosa Osmani thotë se kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka vënë tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe si masë për të mbuluar dështimet e qeverisjes së vetë.

Osmani thotë se LDK’ja, përvec tarifës, është edhe për reciprocitet të plotë me Serbinë, mirëpo vendimin e Haradinajt e konsideron si populist dhe mendon se Qeveria as nuk e ka ditur kuptimin e saj.

“Ka qenë masë populiste sepse është vendosur për t’i mbuluar dështimet, e më pas është kthyer në kauzë politike. Jam e sigurt se nuk e dinë as dallimin mes taksës e tarifës”, ka thënë Osmani.

Ajo thotë se LDK synon që tarifën për mallra serbe të vazhdojë ta mbajë, por thotë se do ta nxjerrë Kosovën nga situata në të cilën ka mbetur.

“Sa herë është folur për tarifën, është LDK’ja që e ka mbrojtur dhe e ka argumentuar këtë masë para shteteve të QUINT’it”

“Tarifa do të mbeste në fuqi dhe LDK’ja do të nxirrte nga kjo situatë më të mirën për Republikën e Kosovës. Me argumente të fuqishme do të mbrojmë këtë vendim, por me argumente do të dimë edhe ta nxjerrim Kosovën nga kjo situatë”, është shprehur Osmani.

Osmani ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë se dialogun më nuk do ta udhëheqë Hashim Thaçi.

“Presidenti Hashim Thaçi nuk do ta udhëheq dialogun mes Kosovës dhe Serbinë. Unë nuk do ta lejoj këtë që të ndodhë. Ramush Haradinaj e ka bërë gabimin më të madh në qeverisjen e tij. Ai është dashur të merret me dialogun dhe jo të lihet në dorën e Thaçit”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese pasi ka udhëhequr dialogun.

“Ai duhet të shkojë në shtëpi dhe kjo do të ndodh pasi në ta marrim qeverinë. Ne do të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për shkeljet që i ka bërë”, ka thënë Osmani.

“Thaçi në asnjë mënyrë nuk do të jetë në krye të dialogut”, është shprehur Osmani.

Osmani ka folur edhe për koalicionin LDK-VV dhe bashkëpunimin e tyre para zgjedhjeve.

Në VV kanë deklaruar se Kurti do të jetë kandidati për kryeministër dhe LDK duhet ta pranojë këtë për një koalicion. Osmani thotë se është partia e saj do që ta udhëheqë qeverinë, bashkë me VV’në.

“Qeveria e ardhshme që do të udhëhiqet nga LDK, në bashkëpunim me Vetëvendsjen do të bëjë luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të rrënjosur”, ka thënë Osmani.

Osmani mohon se deri tash kanë biseduar konkretisht me Albin Kurtin rreth postit të kryeministrit, megjithatë thotë se bisedimet do të intensifikohen tri ditëve në vijim.

“Ata edhe pse kanë shprehur deklarativisht vullnetin, duhet të shkojnë me hapa konkretë. Ka vullnet për bashkëpunim dhe ky është hap tejet pozitiv, por kemi nevojë që në tri ditët e ardhshme të kemi bisedime intensive”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se emri i saj është propozuar nga kreu i LDK’së, Isa Mustafa, po shton se edhe emra të tjerë kanë qenë në listën e kandidatëve potencialë.

“Janë përmendur si kandidatura, por pastaj secili anëtar i kryesisë është deklaruar. Nuk ka pasur votim formal, por secili e ka shprehur mendimin e vetë. Nuk ka pasur hezitim nga asnjë anëtar i vetëm”, ka treguar Osmani, transmeton Gazeta Express.

loading…