Lajmi i fundit: S’kishte fare flamuj shtetesh në aeroportin e ri, Vuçiq gënjeu (FOTO)

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot gënjeu publikisht kur deklaroi se me kërkesë të tij është hequr Flamuri i Kosovës nga aeroporti i ri i Stambollit.

Kjo për faktin, se në aeroportin e ri, brenda dhe jashtë tij, përfshirë edhe në “Family picture”, nuk kishte asnjë grup flamujsh të vendeve të tjera, përveçse Flamurit të Turqisë.

Kjo shihet edhe në fotografitë e faqes zyrtare të presidentit turk.

Link: https://www.tccb.gov.tr/haberler/410/99453/-istanbul-havalimani-ulkemizin-yuz-aki-dunyada-da-ornek-olacak-bir-projedir-?fbclid=IwAR2EO0onnXirpChH7rSgR1eIC98HKHnxTVnsDmIhyTjup6Ml1Jykw2D88Jk

Nga burime brenda Ambasadës së Kosovës në Turqi, Ballkani.info mëson se në aeroportin “Ataturk”, ku edhe kanë ateruar të gjitha delegacionet, Flamuri i Kosovës ka qenë i vendosur në tri vende të ndryshme. Por, gjithashtu, Flamuri i Kosovës ka qenë i vendosur edhe në veturën zyrtare, me të cilën autoritet turke e kanë lëvizur delegacionin e Kosovës.

Ky trajtim ka qenë i njëjtë për të gjitha delegacionet shtetërore të pranishme në hapjen solemne të aeroportit të ri të Stambollit.

“Nuk kishte grup flamujsh kolektivë në aeroportin e ri, brenda dhe jashtë tij, duke përfshirë fotot e familjes. Në aeroportin “Ataturk”, Flamuri i Kosovës është përdorë në tri vende të ndryshme dhe gjithashtu, një Flamur i Kosovës ishte edhe në veturën zyrtare të rezervuar për delegacionin kosovar”, ka thënë për Ballkani.info një zyrtar i Ambasadës së Kosovës në Stamboll.

Kjo gënjeshtër e Vuçiqit, sipas këtij zyrtari, tregon joseriozitetit e tij dhe nivelin deri ku është në gjendje të arrijë propaganda serbe kundër Kosovës.

Ballkani.info ka siguruar edhe fotografi të pritjes së presidentit Thaçi nga zëvendësprefekti i Stambollit, Bahattin Atçı, ku shihet flamuri i Kosovës, si dhe të veturës zyrtare që protokolli shtetëror turk kishte rezervuar për delegacionin e Kosovës, ku gjithashtu shihet Flamuri i Kosovës. /Ballkani.info/