Si ndikon ndriçimi i ambientit në disponim, produktivitet dhe përqendrim

Ka shumë mundësi se këtë artikull jeni duke e lexuar në një hapësirë të brendshme dhe ndriçim të madh.

Për shumicën e njerëzve, jetesa moderne nënkupton që shumica e ditës të kalohet në dhomë të mbyllura, të zhytur në drita natyrale e artificiale.

Përderisa dritat artificiale i kanë sjell njerëzimit mundësi të pa kalkulueshme, gjithashtu kanë shkaktuar edhe konfuzitet në trupat tonë, të cilët kanë evoluar për mijëra vite që t’i reagojnë stimulimit të rrezeve të diellit gjatë ditës dhe errësirës gjatë natës.

Ky reagim ndaj dritës natyrale quhet edhe si ritmi cirkadian apo cikli biologjik dhe e përshkruan ciklin 24-orësh të thuajse të gjitha qenieve të gjalla.

Ritmet cirkadiane kryesisht ndikohet nga pranimi i dritës, por edhe temperatura dhe faktorët tjerë luajnë rol në këtë proces.

Ora jonë natyrale është pjesë e trurit që quhet hipotalamus dhe lidhet me fotoreceptorët që gjenden përgjatë trupit (siç është retina). Këta receptorë janë përgjegjës për sinkronizimin e orës të brendshme me dritën që e absorbojmë gjatë ditës.

Kuptimi i ciklit cirkadian është esencial sepse ndikon në ritmet e trupit të njeriut, ndikon në gjumë, disponim, sistem të tretjes, kontroll të temperaturës, e madje edhe në rigjenerim të qelizave.

Hulumtimet tregojnë se sasia adekuate e dritës i përmirëson nivelet e energjisë dhe disponimit, ndërkaq ndriçimi i dobët kontribuon në depresion dhe shkakton probleme në trup.

Sasia dhe lloji i ndriçimit ndikon direkt në përqendrim, apetit, disponim dhe në shumë aspekte tjera të ditës së përditshme.

Por, si mund të kemi një ritëm të shëndetshëm cirkadian kur shumicën e kohës e shpenzojmë në ambiente të mbushura me dritë artificiale? Ose nëse gjëja e fundit që e bëjmë para se të flemë dhe gjëja e parë që e bëmë posa të zgjohemi është kontrollimi i telefonit?

Si munden arkitektët ta përdorin ndriçimin për të promovuar ritme të shëndetshme cirkadiane dhe të na ndihmojnë të bëjmë jetë më të shëndetshme?

Hulumtuesit rekomandojnë imitimin e cikleve natyrale të dritës së ditës me drita artificiale.

Ndriçimi më i madh dhe më i fortë sugjerohet për mëngjes dhe gjatë ditës, ndërkaq ndriçim më i ulët rekomandohet për natën.

Konfigurimet e kundërta mund të shkaktojnë çrregullim të ritmit cirkadian, të na ndryshojnë orarin e gjumit dhe të shpijnë në ulje të energjisë gjatë ditës.

Një studim nga Universiteti i Torotonos demonstron rëndësinë e forcës së ndriçimit, duke treguar se ndriçimi e intensifikon reaksionin e parë emocional dhe se efektet e veta mund të jenë pozitive dhe negative.

Edhe temperatura e ngjyrës së ndriçimit ndikon shumë në trupin e njeriut. E përshkruar me Kelvin (K), aq më e lartë që është temperatura e ngjyrës, aq më e ndritshme dhe e ‘ftohtë’ do të jetë drita.

Në këtë rast, “e ftohtë” dhe “e ngrohtë” nuk i referohen ngrohjes fizike të llambës, por tonit apo ngjyrës së ndriçimit.

Ndriçimi më i ngrohtë e bën ambientin më mikpritës dhe relaksues, ndërkaq ndriçimi më i ftohtë e bën ambientin më stimulues – na bën më të vëmendshëm, më të përqendruar dhe mund t’i rritë nivelet e produktivitetit.

Gjithashtu besohet se drita e kaltër i zvogëlon edhe nivelet e hormonit të gjumit, melatoninit, duke na bërë më të vëmendshëm.

Kompjuterët dhe ekranet e telefonave lirojnë shumë dritë të kaltër, prandaj kontrollimi i e-mailit para gjumit mund të na bëjë të mos pushojmë mirë.

Por, kur përdoret në mënyrë inteligjente, drita e kaltër mund të jetë ideale për ato hapësira ku mendja duhet të punojë me shpejtësi të madhe, siç janë dhomat e takimeve, kuzhinat industriale dhe fabrikat ku kërkohet përqendrim i madh.

Tonet e verdha i korrespondojnë agimit dhe muzgut, periudha ku trupi në përgjithësi është më i relaksuar.

Kjo ka më shumë kuptim kur kujtojmë se deri së fundmi njerëzit nuk i janë ekspozuar ndriçimit me intensitet të lartë gjatë natës, por thjesht ndriçimit të hënës dhe zjarrit.

Ndriçimi i ngrohtë, indirekt dhe i dobët ka tendenca t’i bëjë ambientet më të heshtura dhe njerëzit më të relaksuar.

Megjithëse kjo mund të mos jetë zgjedhje e duhur për ambientin e punës që kërkon efikasitet dhe produktivitet, faktikisht mund të jetë ideale për një restorant, zonë pushimi apo dhomë të fjetjes.

Ekspertët pajtohen se përdorimi i dritës së diellit gjatë ditës dhe shmangia e ekspozimit direkt në ndriçim të ftohtë apo shmangia e dritës së kaltër para gjumit mund ta përmirësojë kualitetin e gjumit dhe të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e njeriut dhe produktivitet.

loading…