Matoshi e quan krim mjedisor hedhjen e kafshëve të ngordhura në shtretërit e lumenjve

Ministri në dorëheqje i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka postuar një fotografi në profilin e tij në Facebook, ku në shtratin e një lumi, përveç mbeturinave shihet edhe një kafshë e ngordhur.

Ai këtë e ka quajtur krim mjedisor kundër vetvetes.

“Sot gjatë vizitave që i bëra disa lumenjve, rastisa të shoh edhe gjendje të tillë të lumit, e shkaktuar nga persona të pa përgjegjshëm që nuk ia duan të mirën vendit dhe as vetës së tyre”, ka shkruar ai.

Ai thotë se si Ministri po investojnë miliona euro në rregullimin e shtretërve të lumenjve kurse sipas tij, nga ana tjetër shohin skena të tilla tmerri që shkaktohen nga dora e njeriut.

“Kjo është e papranueshme dhe këtë duhet ta luftojmë së bashku, inspektorët komunal, Policia e Kosovës, qytetarët dhe mediat”, thotë ai.

Sipas tij, një dëmtim i tillë i ujit dhe lumenjve pa dyshim që mban emrin krim mjedisor dhe si të tillë do të dënohet.

“Bashkë kundër krimit mjedisor”, thotë ai.

loading…