Zyberaj: Gjykata e Shkupit ndërmorri hapin e parë për lirimin e Tomor Morinës

Kanë kaluar disa ditë që nga arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morinës në Maqedoninë e Veriut.

Arrestimi i tij u bë duke u bazuar në një fletëarrest të lëshuar nga Serbia, e cila gjithashtu kërkoi nga autoritetet maqedonase ekstradimin e Morinës.

Në anën tjetër, sot gjykata ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin Morinës, por ka theksuar se ai nuk do të dërgohet në Serbi.

Reagime të shumta ka pasur edhe nga ana kosovare, të cilat kanë mbështetur vendimin e autoriteteve maqedonase.

Shefi i kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, në një postim në Facebook, ka thënë se Gjykata Penale e Shkupit nuk ka gjetur bazë për ekstradimin e Morinës në Serbi.

“Serbia po abuzon politikisht me këtë rast si me shumë raste të tjera. Është për të ardhur keq që shumë politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nuk kanë besuar në kapacitetin e Kosovës për të zgjidhur këtë çështje me Maqedoninë e Veriut dhe u përpoqën të abuzojnë politikisht me rastin”, ka shkruar Zyberaj, përcjell Ballkani.info.

Në fund të shkrimit, Zyberaj ka thënë se Tomori së shpejti do të jetë në shtëpi. /Ballkani.info

loading…