Për çka akuzohet Gjenerali Agim Çeku, të cilin Kadri Veseli e largoi nga posti i zv/ministrit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar sot nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë

Në mandatin tim të ri si kryetar i PDK-së, jam këtu për të dëshmuar se jam i vendosur për të treguar përkushtimin tim, për luftën kundër korrupsionit, e nepotizmit ka thënë Veseli.

“Sot, jam para jush, për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë. Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”, ka thënë Veseli, përcjell Ballkani.info.

Ndër zyrtarët që janë me aktakuza është edhe zv.ministri i Mbrojtjes, Agim Çeku, ai është i akuzuar nga prokuroria për fryerjen e listave të veteranëve. Kjo aktakuzë ende nuk është konfirmuar apo nuk ka një vendim final të gjykatës, por është vetëm në fazën e hetimeve.
Çeku ka thënë se aktakuza e tij ende nuk është konfirmuar por respekton vendimin e partisë.
Kryetari Veseli ditë më parë në konventen festive të PDK-së ka thënë se do ta çliroj Kosovën nga korrupsioni.

“Ashtu siç kam luftuar për ta çliruar Kosovën nga Serbia, do të luftoj për ta çliruar Kosovën nga korrupsioni”.

Kujtojmë se Çeku deri më sot mbante pozita mjaftë të larta në Qeveri, si: Minister i FSK-së, zv.Minister i Mbrojtjes dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ishte kandidat i PDK-së për Prishtinë. /Ballkani.info/