MSH dhe Policia e Kosovës sekuestrojnë barna të dyshimta në 6 lokacione

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme kanë sekuestruar medikamente me origjinë të dyshimtë.

Policia e Kosovës, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, ka pranuar informacione se në disa lokacione është duke u ushtruar veprimtari penale e cilësuar si ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’, njofton kumtesa.

Pas pranimit të informacioneve dhe analizimit të tyre NJRHKEK – Pejë në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, ka realizuar një plan operativ për kontrollimin e disa lokacioneve në të cilat dyshohej për medikamente pa banderola me origjinë të dyshimtë.

“Gjatë operacionit policor janë kontrolluar gjashtë lokacione, nga të cilat katër barnatore dhe dy shtëpi në qytetin e Pejës, me ç’rast janë gjetur njëmijë e shtatëqind e njëzet e katër (1724) paketime, ku përfshiheshin treqind e pesëdhjetë e tre (353) lloje të medikamenteve të ndryshme pa banderola, të cilat me procesverbal janë sekuestruar nga ana e inspektorëve të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa zyrtarët e doganës këto medikamente i kanë pranuar në ruajtje dhe të njejtat do të përdoren si dëshmi për procedurat e mëtutjeshme”.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Pejë nga Departamenti i Krimeve të Përgjithshme si dhe është përpiluar shënim zyrtar për gjyqtarin e procedurës paraprake.