Bekim Çollaku: Nuk do të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi pa përfshirjen e SHBA-ve

Bekim Çollaku, i cili është shef i Kabinetit të Presidentit, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk do të ketë asnjë lloj marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara.

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Zona B në Klan Kosova, duke shtuar se nuk mendon që Franca dhe Gjermania kanë vullnet të mjaftueshëm politik për të përkrahur çfarëdo zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë, e aq më tepër për ta implementuar atë.

“Gjithçka që është arritur në Ballkanin Perëndimor deri më tani, e mbanë vulën e angazhimit të administratës amerikane. Si popull shqiptar ne kemi fakte të mjaftueshme për të ardhur në këtë përfundim. Nuk do të ketë asnjë lloj marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara”.

“Ne nuk kemi devijuar nga marrëveshja që kemi bërë me Serbinë në vitin 2013. Mirëpo Serbia e mbanë fajin pse nuk është zbatuar kjo marrëveshje. Ajo përmes ndikimit të saj në Veri të Kosovës e ka pamundësuar realizimin e kësaj marrëveshje”.

“Është shumë mirë që ka ndodhur një takim si Samiti i Berlinit, mirëpo nuk është dashur që të anashkalohen Shtetet e Bashkuara. Është e rëndësishme që tani ka një shtytje të re nga Gjermania dhe Franca ndaj këtij procesi mjaftë delikat dhe të komplikuar”.

“Natyrisht se destinacioni final i Kosovës është integrimi i plotë në Bashkimin Europoan. Mirëpo historia më e re e Kosovës e ka dëshmuar se në të gjitha marrëveshjet sa i përket stabilitetit dhe sigurisë në rajon, rol udhëheqës kanë pasur SHBA-të. Marrëveshja në prill të vitit 2013, asnjëherë nuk do të ndodhte pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara”.

“Kjo nuk përbënë për mua risi dhe as që duhet të vihet në pikëpyetje. Gjermania dhe Franca janë të vetëdijshme se çfarë roli kanë Shtetet e Bashkuara në Kosovë. Prandaj mendoj se qëllimi i këtyre dy vendeve është që t’i japin këtij procesi një përkrahje të re”.