Lluka: Deri më 15 shtator do të bëhet plani për pagesën e 26 mln euro për Z Mobile

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se sot, komiteti ndërministror për ndërmarrje publike, që drejtohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka ftuar në takim pune bordin dhe ekzekutivin e Telekomit të Kosovës se bashku me përfaqësuesit e kompanisë Dardafon.net (Z mobile).

“Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të largojmë presionin për inkasimin e mjeteve të vendosura nga arbitrazhi ndërkombëtar me vlerë prej 25.9 milionë EUR përmes përmbaruesve, gjë që do të bllokonte operimin e Telekomit të Kosovës dhe njëkohësisht, negociatat e obliguara në mes të palëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, kërkesa e tyre si komitet ishte që të krijohet një mundësi e re për të dy palët që të punojnë në një plan program të ri të pagesave, pa e ndërlidhur me punën e negociatave dhe rezultatin final të tyre, pra mos të bëhet presion që negociatat të përfundojnë në favor të njërës palë.

“Borgji ndaj kompanisë në fjalë është vendosur nga arbitrazhi dhe është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga Gjykata e Apelit, prandaj në këtë moment edhe është i pakontestueshëm. Pas një diskutimi nga të gjithë të pranishmit, palët u pajtuan që deri më 15 qershor të bëjnë një plan të pagesave ndaj këtij borgji. Në këtë formë, grupet negociuese nuk do të vendosin temën e pagesës në diskutime”, ka thënë tutje Lluka.

Ministri ka shtruar se Telekomi i Kosovës, i mbështetur nga ky komitet dhe tërë Qeveria e Kosovës, së shpejti do të ketë qasje në kredi për të implementuar kodin 383, për të siguruar mirëmbajtjen e telekomit dhe një herit, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe për të bërë investimet e detyrueshme që të sigurohet mbarëvajtja e punes.

“Në asnjë formë, Qeveria nuk do të lejoj që Telekomi të dështoj pasi qe luan rol shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe sigurinë kombëtare. Falënderoj të gjithë ata që ishin të pranishëm në këtë takim me rëndësi për të ardhmen e Telekomit të Kosovës”, ka thënë në fund Lluka. /Ballkani.info/